Zgjedhjet/ Veliaj te Njësitë 1, 2 dhe 3: Në 14 maj fitojmë bindshëm në të gjithë qarkun e Tiranës

Politikë | 4 vite më parë

Në takimin elektoral me banorët e Njësive 1, 2 dhe 3, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se Partia Socialiste do të fitojë bindshëm në zgjedhjet e 14 majit.

Sipas tij, PS-ja është e vetmja forcë që mendon për familjet shqiptare.

“Në 14 maj do të fitojmë bindshëm në të gjithë qarkun. Do të fitojmë në Rrogozhinë, do të fitojmë në Vorë, do të fitojmë në Kavajë, do të fitojmë në Kamzë, por posaçërisht do të fitojmë në të 27 Njësitë e Tiranës sonë. Kudo ku kalon, shikojmë punë.

Ne nuk do e bënim dot këtë tubim përpara ca kohësh. Ju kujtohet, kjo hapësirë ka qenë për vite të tëra treg, ku fëmijët nuk dilnin dot jashtë për një shëtitje, të moshuarit nuk kishin një stol për t’u ulur, kurse vlera e pallateve ra sepse nuk shitej prona”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se vetëm shkollat e ndërtuara në këto njësi, të cilat kanë vendosur një standard të ri në infrastrukturën arsimore, kanë transformuar gjithë zonën.

“Sot vetëm ky shesh, ky bulevard, kjo hapësirë, është një ndër shumë modelet ku dora e transformimit ka bërë ndryshimin. Ju kujtohet shkolla ‘Kosova’?

Ata që flasin sot dhe kanë vërejtje për Tiranën, shkollën ‘Kosova’ e kishin nisur për pallat. Sot, shkolla ‘Kosova’ është më e mira në Republikë dhe ka vendosur standardin për 40 shkollat e reja. Buzë kësaj rruge kemi Shkollën e Baletit, të cilën e transformuam totalisht, kemi Liceun, ku shtuam një sallë koncertesh, por kemi edhe stadiumin ‘Arena Kombëtare’”, vijoi ai.

Kreu socialist i Qarkut falënderoi edhe të gjithë ata demokratë që janë bashkuar me familjen e madhe socialiste.

“Kam një superfalenderim për të gjithë demokratët që na janë bashkuar në fushatën tonë për dashuri, miqësi dhe vëllazëri. Mirë se erdhët në shtëpinë tonë! Kjo është edhe shtëpia juaj! A ju kujtohet stadiumi?

Se po mbushen të 40-at e stadiumit, ku demokratët e lanë Saliun vetëm në stadium. U thoshte demokratëve: ‘Mos u fusni në stadium! Është arena e krimit, arena e korrupsionit, është arena e mafies’.

Pastaj, ngaqë donte të hapte fushatën në një vend të bukur, i ftoi të gjithë demokratët në stadium dhe burri 80 vjeç e ktheu pllakën, tha: ‘Është stadiumi i lirisë, i demokracisë, stadiumi i fitores’ dhe demokratët si të zgjuar e të mençur dhe shqiptarë të mirë që janë, e lanë tek pullë në stadium t’u fliste karrigeve, se demokratët janë bashkuar me ne. Kanë ardhur për të ecur përpara, duan familjet e tyre përpara partisë së plakut, që ka humbur rrugën në oborr”, theksoi Veliaj.

Veliaj ftoi këdo që deri dje votonte djathtas të bashkohet dhe të votojë për Partinë Socialiste, si e vetmja forcë që mendon sot për familjen e çdo shqiptari.

“Pyetja që kam është: Partia më e rëndësishme është ajo me logo, me tesera, apo është familja jote? Nëse partia me rëndësishme është familja jote, atëherë pyet familjen tënde! Nëse çerdhet e lagjeve tona janë më të mira, voto për çerdhet! Nëse kopshtet e lagjes sonë janë më të mira, voto për kopshtet! Nëse shkolla ‘Kosova’ e ‘Mihal Grameno’, shkolla ‘Bashkim Fino’, ‘Çajupi’, shkolla ‘Ismail Qemali’, janë sot më të mira, voto për shkollat!

Ky bulevard e shumë rrugë të tjera janë më të mira, voto për bulevardin ku ecën familja jote! Nëse këto pemë dhe ky gjelbërim prodhon më shumë oksigjen, voto për frymëmarrjen e familjes tënde! Nëse partia Partia Socialiste i çon gjërat përpara, voto Partinë Socialiste të Shqipërisë, forcën tonë dhe familjen tonë!”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme