111 vjet ushtria shqiptare, SHBA rikonfirmon mbështetjen për sigurinë e vendit e rajonit

Aktualitet | 3 vite më parë

Shtetet e Bashkuara garantojnë Shqipërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Në Ditën Kombëtare të Forcave të Armatosura, të krijuara vetëm pak ditë pas shpalljes së Pavarësisë më 1912, shtetet e bashkuara i referohen aleancës dhe partneritetit në NATO të vendit që nuk e lëkundi besimin e mirënjohjen edhe në kushtet e një izolimi të skajshëm politik e  të përgjithshëm.

“Ne presim të vazhdojmë të punojmë së bashku krah për krah për të çuar përpara paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, Europë dhe bot”.

Pak ditë më parë ishte Sekretari Blinken që i kujtoi NATO për rolin për sigurinë në rajon.

“NATO ka një rol kritik për të luajtur për të ndihmuar shtetet e rajonit të bëjnë përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE dhe drejt stabilitetit më të gjerë europian. NATO prej kohësh ka siguruar shtyllën kurrizore të sigurisë në Ballkanin Perëndimor; do të vazhdojë ta bëjë këtë. Aleanca i është përgjigjur me vendosmëri aktorëve që kërkojnë destabilizimin e veriut të Kosovës, siç e pamë në fillim të këtij viti, duke vendosur trupa shtesë të KFOR-it”, tha Blinken.

Mesazhi i Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë i është drejtuar me mirënjohje të thellë efektivëve dhe personelit të angazhuar për përkushtimin e tyre që Forcat e Armatosura të jenë simboli më i mirë i forcës dhe përkushtimit ndaj sigurisë, lirisë dhe të interesave të kombit tonë. Në të njëjtën kohë ministri shqiptar siguron për kontributin e Shqipërisë.

“Krenarë për kontributin e jashtëzakonshëm si aleat dhe partner në NATO, ku do të vazhdojmë të jemi një forcë e fortë në skenën ndërkombëtare”, tha Peleshi.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme