Kërkim-shpëtimi aeronautik, Shqipëria mikpret takimin e RASARAC dhe përgatitet për stërvitjen SAREX-2026

Aktualitet | 60 minuta më parë

Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (QKKSH) organizoi takimin e dytë të Komitetit Këshillues Rajonal të Kërkim-Shpëtimit Aeronautik (RASARAC) për vitin 2026, me fokus parësor koordinimin e operacioneve ajrore dhe lehtësimin e procedurave ndërkufitare.

Në këtë aktivitet mori pjesë Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda, e cila në fjalën e saj nënvizoi se “angazhimi i Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi kërkim-shpëtimi më të fuqishëm, me kapacitete më të larta dhe reagim më efikas” përbën jo vetëm një përparësi kombëtare, por edhe një “përgjegjësi të përbashkët rajonale dhe ndërkombëtare”.

Fokus te kapacitetet SAR dhe procedurat ndërkufitare

Takimi i nivelit të lartë shërbeu si një platformë për vlerësimin e kapaciteteve dhe aseteve SAR të vendeve anëtare.

Diskutimet u përqendruan në rritjen e efikasitetit operativ, shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe thjeshtimin e protokolleve për ndërhyrjet e shpejta ndërkufitare në rastet e emergjencave ajrore.

Testimi i gatishmërisë me stërvitjen SAREX-2026

Takimet e Komitetit Këshillues i paraprijnë drejtpërdrejt stërvitjes ndërinstitucionale të kërkim-shpëtimit aeronautik SAREX-2026, e cila do të zhvillohet ditën e nesërme.

Kjo stërvitje ka si synim kryesor “testimin e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional në përballimin e situatave emergjente”, duke vënë në provë praktike sinkronizimin mes strukturave kombëtare dhe partnere rajonale.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme