14 maji/ SHBA: Partitë dhe institucionet të sigurojnë që, veprimtaritë zgjedhore, të kryhen në përputhje me ligjin shqiptar

Të gjithë aktorët politikë të përfshirë në zgjedhjet vendore, në nivel kryetarësh partie apo kandidatësh, do të jenë në vëzhgim të fortë ndërkombëtar, lidhur me procesin zgjedhor të 14 majit.
Ambasada amerikane në Shqipëri, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, u ka bërë të ditur qartazi pjesëmarrësve në zgjedhje se “Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve, që të sigurojnë që veprimtaritë zgjedhore të kryhen në përputhje me ligjin shqiptar dhe me standardet ndërkombëtare”.
Sipas ambasadës së SHBA, të dielën, qytetarët shqiptarë do të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike më themelore, të votojnë për udhëheqësit dhe të ardhmen e tyre.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të sigurojnë që veprimtaritë zgjedhore të kryhen në përputhje me ligjin shqiptar dhe me standardet ndërkombëtare. Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë që zgjedhjet të jenë transparente, të lira dhe të sigurta. Ashtu si në procese të mëparshme, përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë nga ambasada e SHBA do të udhëtojnë përreth vendit si vëzhgues në zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Drejtuesit e partive patën detyrimin të propozojnë kandidatë të pastër, të denjë për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe tani vendimi duhet të jetë në dorën e qytetarëve. Siç kemi bërë gjatë tre dhjetëvjeçarëve të shkuar, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin vullnetin e popullit shqiptar për demokraci të fortë.”- thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




