23-vjeçari që zgjodhi tokën, në Nepravishtë, nga tradita familjare te investimi në bujqësi
Që në moshë fare të vogël, Avni Beqari nga fshati Nepravisht i bashkisë Libohovë ka qenë i lidhur ngushtë me bujqësinë, duke ndjekur çdo ditë të atin në punët e tokës. Ajo që për të nisi si një ndihmë familjare, me kalimin e viteve u kthye në një pasion të vërtetë.
23-vjeçari nga Nepravishta zgjodhi të mos e braktisë vendlindjen e tij, ndryshe nga shumë të rinj të tjerë, dhe tashmë prej 6 vitesh është angazhuar seriozisht në kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore, duke u fokusuar kryesisht tek frutat dhe perimet. Me përkushtim dhe punë të palodhur, ai ka arritur të krijojë një aktivitet të qëndrueshëm, që i siguron të ardhura të mira.
“Fillimisht kemi nisur me sipërfaqe të vogla. Më kryesoret si fillim kanë qenë perimet, ka qenë pjepri, shalqini edhe drithra. Tani për mua është kthyer në një passion, duke u bërë viti gjashtë këtë vit që punojmë me bujqësinë. Vetëm me fruta, perimet janë tre hektarë. Unë kam zgjedhur të qëndroj këtu. Tani pothuajse gjithë mosha ime mendojnë të lëvizin. Unë kam menduar që të investoj në vendin tim”, deklaroi fermeri.
I riu nga Nepravishti shprehet se, megjithëse bujqësia kërkon shumë mund dhe sakrifica, ajo mbetet një punë e bukur dhe e vlefshme. Sipas tij, lidhja me tokën dhe rezultatet që ajo jep janë motivim i madh për të vazhduar përpara. Sa i përket këtij viti, Avniu tregon se prodhimi ka qenë mjaft i mbarë dhe cilësor. Kërkesat për produktet e tij janë rritur ndjeshëm, jo vetëm nga tregtarët, por edhe nga konsumatorët, duke e bërë këtë sezon një nga më të suksesshmit për të.
“Prodhimi duket mjaft mbarë. Edhe konsumatorët janë mjaft të kënaqur me cilësinë e prodhimit. Plus edhe tregtarët e preferojnë shumë. Ne më së shumti përpiqemi që prodhimi ta bëjmë bio mos përdorim kimikate”, deklaroi fermeri.
Historia e Avni Beqarit është një shembull frymëzues i të rinjve që zgjedhin të qëndrojnë pranë tokës dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendlindje. Me punë, përkushtim dhe dashuri për bujqësinë, ai ka arritur të kthejë një traditë familjare në një aktivitet të suksesshëm. Avniu mbetet optimist për të ardhmen, duke synuar zgjerimin e prodhimit dhe përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë, ndërsa u bën thirrje të rinjve që të investojnë në bujqësi, një sektor që ofron mundësi reale për zhvillim dhe qëndrueshmëri ekonomike.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





