23-vjeçarja zgjedh artizanatin, përdor bimët e Lazaratit për të prodhuar produkte kozmetike

Fabiola Meçi 23 vjeçarja lazaratase, që ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të saj, të dhënë pas rehatisë e botës dixhitale, i ka hyrë “ një shtegu të paçelur” më parë duke prodhuar kozmetikë në mënyrë artizanale nga bimët dhe lulet afër shtëpisë së saj e deri në majën e Malit të Gjerë. Në pak kohë produktet e dala nga duart dhe eksperimentet e saj, nga kjo punishte e thjeshtë , prekin kontinentet.
Fabiola e diplomuar për menaxhim biznesi ka vendosur të ndërtojë të ardhëm në vendin e saj ku u lind dhe u rrit, duke u bërë sfiduese e një realiteti monoton e gri. Këtë risi që trashëgohet pak, ose është harruar plotësisht, ajo po e ngre në art, falë njohurive për kozmetikën dhe specializimeve që ka marrë në fushën e dermatologjisë duke harmonizuar pasionin dhe dijenitë e marra në shumë fusha dhe duke e sintetizuar në atë që quhet mjekësia alternative.
” Ky kombinim ka shkuar deri në Amerikë, në Kembrixh, në Angli, në Kanada” thotë Fabiola për produktet e saj.
Nga mjeshtëria dhe njohuritë e Fabiolës, në një cilësi të lartë është kremi me propolisin, i tëri me bazë bimore nga bimët medicinale te mbledhura në këtë zonë , por dhe sapuni që ka bazën e ka nga produkte shtazore e kremra të tjerë që përdoren në kurimin e lëkurës apo dehidratimin e saj por dhe mirëmbajtja e flokëve duke përdoruar një recetë të thjeshtë e praktike larg kimikateve e çmimeve të larta për pacientët e saj.
” Ky është një sapun për fytyrë i cili është përgatitur me qumësht dhie, por ka edhe përgatitje me propolis, vaj sherbelë, me vaj rozmarine etj por baza mbetet qumështi i dhisë” thotë Fabiola.
Përveçse pasion, kjo lloj mjekësie apo farmacie alternative e thënë ndryshe , bio, pa kimikate e reaksione substancash kimike, është një përvojë dhe eksperimentim i Fabiolës. Mali i Gjerë, ku shtrihet dhe Lazarati është një habitat natyral i bimëve mjekësore, ku rriten shumë lloje që përpunohen në Lazrat ndërkohë që nga Shqipëria eksportohen drejt vendeve të tjera 330 lloje të bimëve mjekësore.
Fabiola ka një vullnet të paparë për të bërë gjëra te reja, jo vetëm tek shtëpia e saj, por tashmë dhe më gjerë diku në qendër të fshatit, ku është ngritur një qendër e grumbullimit të bimëve medicinale e njohur si qendra “Kalt” një alternative pas kanabisit, që e shënoi Lazaratin me “njollë të kuqe” në hartën e mbjelljes dhe përhapjes së bimëve nartkotike për shumë kohë.
Qendra e hapur nga bashkia Gjirokastër lë pas një histori aspak të mirë të fshatit të identifikuar më “bimën e mallkuar” dhe hap një epokë të re për Fibiolën e shumë të rinj lazaratas që e duan punën, fshatin dhe pasuritë e tij duke çelur një shteg të ri.
Ndryshe nga shumë të rinj që ndjekin rrugë të tjera në ndjekje të fatit të tyre, Fabiloa ka vendosur të jetojë e punojë aty ku u lind dhe u rrit në Lazaratin e saj , i cili është qeliza bazë e Atdheut të saj Shqipërisë.
Mesazhi i saj për te rinjtë është mesazh që buron nga pasioni e dashuria për vendin nga një 23 vjeçareje që dalëngadalë po shtron të sigurt udhën e saj drejt së ardhmes .
Po ngre një biznes që sot këtu duket mbase i vogël dhe paksa primitiv, por që nesër Fabiola me produktet e saj dhe në tregun e huaj mund të jetë një “shkencëtare’ dhe novatore e mirëfilltë, sa dhe bota do ta lakmojë dhe kërkojë punën dhe vetë Fabiolën nga Lazarati Gjirokastrës , ndaj ne duhet ta vlerësojmë e ta mbajmë këtu Fabiolen që i këshillon me “fjale zemre’ bashkëmoshataret e saj.
Gazetare S. Spaho
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




