23-vjetori i sulmeve terroriste ndaj SHBA, Begaj: Nderojmë forcën e popullit amerikan

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkujton sot 23 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Nju-Jork, Pentagon dhe Shanksville të Pensilvanisë, ku mbetën të vrarë rreth 3 mijë persona.
Nga sulmet e 11 shtatorit humbën jetën 2,977 persona pasi terroristët rrëmbyen 4 avionë, ndërsa numri më i lartë i viktimave u shënua në Nju-Jork.
Veç 2753 personave që humbën jetën atë ditë në Manhattan, qindra mijëra njerëz që jetojnë atje janë ekspozuar ndaj ajrit të ndotur dhe mbetjeve si pasojë e sulmeve, ndërsa qindra vetë kanë vdekur nga sëmundje të lidhura me 11 shtatorin.
Ceremonitë përkujtimore priten të mbahen në të ashtuquajturën pikën zero në Nju-Jork, ku kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë u shembën nga goditja e avionëve të rrëmbyer nga terroristët. Pas rreth 15 minutash, në orën 09:03, terroristët goditën kullën e dytë.
Gjithashtu, pritet të mbahen homazhe pranë Memorialit Kombëtar Fluturimi 93, në Shanksville të Pensilvanisë, në nderim të 40 viktimave, ku avioni i rrëmbyer nga terroristët u rrëzua pas rezistencës së pasagjerëve.
Në Pentagon do të përkujtohen 184 viktimat që humbën jetën kur një avion i “American Airlines” goditi selinë qendrore të Departamentit amerikan të Mbrojtjes. Sipas hetimeve të mëpasshme, avioni mund të kishte si objekitv Shtëpinë e Bardhë ose Kapitolin.
Referuar hetimeve të kësaj tragjedie, sulmet u planifikuan nga Afganistani nga grupi terrorist “Al Qaeda”. Më pas SHBA u përgjigj duke nisur luftën në Afganistan ndërsa në 2011 trupat amerikane vranë udhëheqësin e Al Qaedas, Osama Bin Laden në Pakistan.
Sulmet terroriste të 11 shtatorit pasuan me luftën e ashpër kundër terrorizmit nga Shtetet e Bashkuara.
Ndërkaq, politika shqiptare duke përkujtuar 23 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit, shpreh nderimin për viktimat e tragjedisë amerikane.
Përmes një postimi në rrjetin social në “Facebook”, presidenti i vendit shkruan se “kjo ditë shërben gjithashtu si kujtesë për luftën e vazhdueshme kundër terrorizmit”. Ai shkruan më tej se kërcënimi i terrorizmit nuk është zhdukur dhe se nuk njeh ngjyrë apo ideologji.
“Sot, kujtojmë ngjarjet tragjike të 11 Shtatorit, 2001.
Njëzet e tre vjet më parë, bota u trondit nga sulmet e paimagjinueshme që morën jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm në SHBA.
Në këtë ditë, nderojmë viktimat por edhe forcën e qëndrueshmërinë e popullit amerikan.
Kjo ditë shërben gjithashtu si kujtesë për luftën e vazhdueshme kundër terrorizmit.
Kërcënimi i terrorizmit nuk është zhdukur; ai nuk njeh ngjyrë apo ideologji.
Nuk duhet të harrojmë kurrë këtë!”, shkruan Begaj.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm, Igli Hasani thekson se sot bota nderon kujtimin e jetëve të pafajshme të humbura në sulmet e 11 shtatorit 2001, ndërsa thekson se “Shqipëria qëndron me aleatin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, vlerave demokratike, stabilitetit dhe paqes”.
“Sot, ne nderojmë kujtimin e jetëve të pafajshme të humbura në sulmet e 11 shtatorit 2001 dhe reflektojmë për guximin, dhembshurinë dhe solidaritetin që u shfaqën si përgjigje. Shqipëria qëndron me aleatin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, vlerave demokratike, stabilitetit dhe paqes”, shkruan Hasani.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




