Kërcënohet nga Irani, Sekretari amerikan i Thesarit largohet nga rezidenca dhe zhvendoset në bazë ushtarake

Scott Bessent është larguar nga rezidenca e tij në Washington dhe është transferuar në një bazë ushtarake amerikane për arsye sigurie, pas kërcënimeve iraniane ndaj jetës së tij. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se planet e Iranit kundër personelit dhe qytetarëve amerikanë kanë arritur në një fazë të avancuar. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, është zhvendosur nga rezidenca e tij në Washington DC në një bazë ushtarake amerikane, pas kërcënimeve ndaj jetës së tij nga Irani. Lajmi është raportuar fillimisht nga “The New York Times”, ndërsa dy persona të njohur me çështjen kanë konfirmuar për agjencinë Reuters se zhvendosja është kryer për arsye sigurie.
Shqetësimet për sigurinë e zyrtarëve amerikanë janë shtuar pas paralajmërimeve të inteligjencës amerikane. Në një memorandum të muajit të kaluar, një zyrtar i lartë i inteligjencës në administratën Trump paralajmëroi se planet e Iranit për të goditur personelin dhe qytetarët amerikanë kishin arritur në një fazë të avancuar. Scott Bessent ka drejtuar që prej muajit gusht fushatën amerikane të sanksioneve dhe presionit ekonomik ndaj Iranit, të emërtuar “Operation Economic Outcast”. Fushata synon të detyrojë Teheranin të ndalojë sulmet ndaj transportit detar dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë globale të naftës.
Masat ekonomike janë shoqëruar edhe me bllokadën detare amerikane ndaj porteve iraniane. Ato përfshijnë sanksione ndaj degëve bankare në Lindjen e Mesme dhe kompanive të tjera financiare që lehtësojnë transaksionet me Iranin. Një zëdhënës i Departamentit të Thesarit amerikan deklaroi se kërcënimet nuk do ta ndalin sekretarin nga zbatimi i politikës së administratës Trump. “Sekretari nuk do të frikësohet nga kërcënimet e regjimit iranian dhe mbetet i përkushtuar në zbatimin e operacionit ‘Economic Outcast’ dhe ruajtjen e bllokadës, të cilat së bashku po shkaktojnë kolapsin e ekonomisë iraniane”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit.
Sipas një burimi të njohur me çështjen, shqetësimet për sigurinë e Bessent u shtuan pasi gazeta “The Wall Street Journal” publikoi një fotografi ajrore të rezidencës së tij në lagjen Georgetown të Washingtonit. Bessent e kishte blerë këtë pronë për 12.5 milionë dollarë, pak kohë pas konfirmimit të tij si Sekretar i Thesarit në janar 2025.
Fotografia ajrore bëri të mundur identifikimin e saktë të vendndodhjes së banesës, duke rritur shqetësimet për sigurinë e tij. Për këtë arsye, sipas burimit, u vendos zhvendosja e sekretarit në një bazë ushtarake. Burimi kritikoi gjithashtu publikimin e fotografisë, duke theksuar se mediat duhet të tregojnë përgjegjësi në një kohë kur kërcënimet ndaj zyrtarëve publikë janë në rritje.
Ndërkohë, Irani ka mohuar më parë se po planifikon sulme ndaj zyrtarëve apo qytetarëve në territorin amerikan. Sipas raportimeve të “The New York Times”, zyrtarët amerikanë vlerësojnë se aftësia e Iranit për të organizuar sulme në shkallë të gjerë në SHBA dhe territore të tjera jashtë vendit mbetet e kufizuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



