25 vatra zjarri në 24 orë në vend, Ministria e Mbrojtjes: 5 mbeten aktive, në terren 4 helikopterë

Një total prej 25 vatrash zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në vend, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë shuar. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht mbeten aktive 5 vatra, ndërsa një zonë vijon të jetë nën monitorim. Ministria informon se në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 365 forca operacionale dhe 37 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të tyre kanë vepruar edhe 158 efektivë të Forcave të Armatosura, me 10 mjete dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Mallakastër, pas disa ditësh operacionesh intensive, zjarret në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar plotësisht. Ndërkohë, në Drenie, në bashkinë Patos, është evidentuar një riaktivizim i zjarrit në thellësi të pyllit dhe strukturat operacionale vijojnë ndërhyrjen.
Ministria sqaron më tej se situata mbetet nën vëzhgim edhe në Krujë, ku forcat janë angazhuar në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Ndërsa në Abaze, ministria informon se zjarri është favorizuar nga era, por aktualisht nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Në Krastë–Halil, gjatë orëve të para të mëngjesit ndërhynë dy helikopterë të Forcës Ajrore për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbështetur ekipet në terren. Pas ndërhyrjes nga ajri, situata u normalizua dhe operacionet vijojnë për kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrës. Në dy vatrat e Krujës janë angazhuar në total katër helikopterë të Forcës Ajrore. Në Priskë e Madhe, në bashkinë Tiranë, vijon puna për vënien nën kontroll të zjarrit. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarri në Cikallesh të Kavajës është shuar plotësisht, ndërsa zona e Dajtit vijon të mbahet nën monitorim. Zjarret në Vilëz të Kurbinit, Kallmet të Vogël në Lezhë dhe Goraj–Budishë në Malësinë e Madhe janë gjithashtu shuar plotësisht. Në malin e Nëmerçkës, në bashkinë Përmet, vatra vijon të mos paraqesë rrezik për zonat e banuara.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat pjesa më e madhe janë shuar. Aktualisht 5 vatra mbeten aktive dhe 1 zonë është në monitorim. Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 37 automjete zjarrfikëse dhe 365 forca operacionale, ndërsa në mbështetje kanë vepruar 158 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 mjete dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Mallakastër, pas disa ditësh operacione intensive, zjarret në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar plotësisht. Në Drenie, bashkia Patos, është evidentuar një riaktivizim në thellësi të pyllit dhe strukturat operacionale po vijojnë punën.
Në Krujë, vijon angazhimi i forcave në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze, pavarësisht përhapjes së favorizuar nga era, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Krastë–Halil, në orët e para të mëngjesit u angazhuan 2 helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët ndërhynë për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbështetur forcat operacionale në terren. Pas ndërhyrjes nga ajri, situata u normalizua dhe puna vijon për kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrës. Në dy vatrat e Krujës janë angazhuar në total 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Priskë e Madhe, bashkia Tiranë, vijon puna për vënien nën kontroll të vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, zjarri në Cikallesh, bashkia Kavajë, është shuar plotësisht, ndërsa Dajti vijon të mbahet në monitorim. Në Vilëz, bashkia Kurbin, dhe në Kallmet të Vogël, bashkia Lezhë, zjarret janë shuar plotësisht. E njëjta situatë paraqitet edhe në Goraj–Budishë, bashkia Malësi e Madhe, ku vatra e zjarrit raportohet e shuar. Në malin e Nëmerçkës, bashkia Përmet. Vatra nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile mbeten në gatishmëri dhe vijojnë koordinimin deri në neutralizimin e plotë të çdo vatre aktive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




