Merz propozon Ilse Aigner për presidente të Gjermanisë, synon të bëhet gruaja e parë në këtë post

Botë | 22 minuta më parë

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar Ilse Aigner për postin e presidentes federale të Gjermanisë. 61-vjeçarja, e cila aktualisht drejton Parlamentin e Bavarisë, konsiderohet si një figurë e moderuar dhe me bindje të forta demokratike.

Gjatë prezantimit të kandidaturës, Merz vlerësoi aftësinë e saj për të bashkuar njerëzit dhe për të mbrojtur vlerat demokratike.

“Me Ilse Aigner, Gjermania fiton një presidente me vlera, me zemër, sharm dhe karizëm”, deklaroi kancelari.

Aigner e priti me emocion propozimin, duke theksuar se demokracia gjermane po përballet me kërcënime si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë. Ajo premtoi se do të komunikojë me qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe do të qëndrojë pranë tyre.

Rruga e saj drejt politikës së lartë është e pazakontë. Aigner nuk ka ndjekur universitetin dhe as nuk ka përfunduar shkollën e mesme, por ka formim profesional në elektronikë.

Përpara angazhimit në politikë, ajo punoi në industrinë e aviacionit, ku u përfshi në zhvillimin e sistemeve elektronike për helikopterët e kompanisë Eurocopter.

Më pas iu bashkua CSU-së, shërbeu si ministre e Bujqësisë në qeverinë e Angela Merkelit dhe mbajti disa poste të rëndësishme në Bavari, përfshirë atë të zëvendëskryeministres.

Që prej vitit 2018, Aigner drejton Parlamentin e Bavarisë. Nëse zgjidhet, ajo do të bëhet gruaja e parë në postin e presidentes federale të Gjermanisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme