800 vdekje në vit nga kanceri i mushkërive/ Mjekët: Duhani shkaku në 90% të rasteve me këtë sëmundje

Kanceri i mushkërive ka vdekshmërinë më të lartë se të gjitha sëmundjet tumorale në vend dhe Shqipëria zë vendin e parë në Ballkan.
Sipas mjekëve pneumologë kjo sëmundje në 90% të rasteve shkaktohet nga duhanpirja dhe fatkeqësisht pacientët vijnë në spital në stade shumë të avancuara të sëmundjes.
Kanceri i mushkërive rezulton ne vendin tonë si kanceri me vdekshmërinë më të lartë duke ja kaluar edhe atij të gjirit, me 800 raste në vit. Sipas Arben Tanka, pneumolog në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” kjo vdekshmëri e lartë ka si shkak edhe ardhjen vonë në spital.
“Numri i rasteve të zbuluara në vit është i pabarabartë më numrin e kancerit të gjirit. Zë vendin e parë sa i takon humbjes së jetëve. Një nga faktorët madhor që shkaktojnë këtë sëmundje është duhanpirja e cila zë 80% të rasteve më tumor në pulmom. Shkaktari kryesor në 80% të rasteve me kanceri në mushkëri është duhan pirja. Dhe duke parë që tendenca e duhapirjes është shtuar edhe tek femrat atëherë, të dyja gjinitë janë të rrezikuara”, shprehet mjeku.
Për Jonida Tula, Onkologe Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” alarmante është fakti i prekjes nga kanceri i mushkërive edhe i moshave shumë të reja.
“Duke gjykuar trendin historik kemi një ulje të moshës kur zbulohen pacientët me kancer në mushkëri kjo kryesisht I atribuohet duhanpirjes në mosha më të hershme. Ne kemi indikacione që duhanpirja fillon që në moshën 11 vjeç dhe është shumë problem fillimi në këtë moshë pasi mushkëritë duke qenë më të reja dhe përthithja që i bëhet kimikateve është më e madhe dhe dëmi do të jetë më madhor dhe më i shpejtë pra gurthemeli për të mos patur kancer më mushkëri është mospirja duhanit”, shpreh shqetësimin ajo.
Fatkeqësisht në spitalin e mushkërive ka pacientë shumë të rinj 30 vjeçar që sot vuajnë stadin e 4 –ët të sëmundjes dhe mbijetesa është shumë e shkurtër.
Mjekët rendisin edhe faktorë të tjerë shkaktues të këtij kanceri siç është gazi radon që gjenden në shtëpi, ndotja atmosferike të cilat ne kemi në ajër si produkte të azbestit dhe përbërjet e hidrokarbureve si dhe disa faktorë gjenetikë.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




