Rritja e çmimeve, Shqipëria importon më shumë se 50 për qind të çmimeve të larta

Çmimet e ushqimeve po ecin jashtë çdo parashikimi. Banka Qendrore në Shqipëri raportoi se inflacioni në fund të vitit 2022 do të arrinte në 5 apo 6 për qind, por ky tregues u arrit në prill. Rritja është e frikshme, po të kesh parasysh se Shqipëria importon më shumë se 50 për qind të rritjes së çmimeve nga shtetet e BE dhe më gjerë. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik ka raportuar këto ditë se inflacioni u rrit në 9.2% në prill. Ndërsa në çmimet e ushqimeve rritja është + 11.5% . Nëntë vende kanë përjetuar norma inflacioni dyshifror. Nga ana tjetër, inflacioni ka rënë në pesë vende të OECD-së, përfshirë Spanjën, Italinë dhe Shtetet e Bashkuara .
Çmimet e konsumit janë ende alarmante pasi vazhdojnë të shënojnë rekorde të reja muaj pas muaji. OECD thekson se indeksi i çmimeve të ushqimeve është rritur sërish, duke arritur në 11.5% në prill, pas 10% të regjistruar tashmë në muajin mars. Çmimet e shërbimeve u rritën gjithashtu në një pjesë të madhe të vendeve të OECD, me një rritje mesatare prej 4.4% në prill në 33 vende të grupit, pas 3.9% në mars.
Sipas perspektivës së marsit, nga një këndvështrim i caktuar, Rusia dhe Ukraina kanë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë globale. Kjo bëhet përmes rolit të tyre si furnizues kryesorë në një sërë tregjesh të mallrave. Rusia dhe Ukraina sëbashku përbëjnë rreth 30% të eksporteve globale të grurit, 20% për misër, plehra minerale dhe gaz natyror dhe 11% për naftë. Nëse konflikti vazhdon, ai do të ketë një ndikim edhe më të fortë në Prodhimin e Brendshëm Bruto, PBB, dhe çmime.
Ekspertët sugjerojnë se rritja globale mund të reduktohet me më shumë se një pikëpërqindjeje dhe inflacioni global mund të rritet me gati dy pikëpërqindje e gjysmë në vitin e parë të plotë pas fillimit të konfliktit.
Në Shqipëri, në ndryshim nga ky sinjal i OECD, autoritetet janë optimiste. Sipas kreut të financave shqiptare, “…vendi ka pasur një reduktim të ritmit të rritjes së inflacionit. Në muajin mars inflacioni mujor ishte rritur me 3.9 %, ndërkohë që në muajin prill rritja është me 1.1 %, për produktet ushqimore, pra ka një ngadalësim të ritmit të rritjes së çmimeve, që jep një sinjal pozitiv përsa i përket pritshmërive për inflacionin për vitin” – ka thënë ministrja Ibrahimaj.
Por nuk është përmendur që ky reduktim i inflacionit vjen edhe për shkak të rënies së konsumit, duke filluar nga karburantet e deri tek produktet ushqimore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




