Shqipëria një treg potencial, tre kompani të rëndësishme amerikane dhe tregu rajonal i gazit natyror

Ekonomi | 5 vite më parë

Shqipëria po hedh hapa të rëndësishëm në tregun e energjisë drejt përmbushjes së vizionit Shqipëria 2030 si eksportuese neto e energjisë.

Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes kompanisë bullgare Overgas, asaj amerikane Linden Group dhe ALBGAZ-it vendas, i shërben këtij qëllimi. Pas dy kompanive të njohura në tregun ndërkombëtar, Akselerate Pauer dhe Ekson Mobil, ofrimi i kompanisë tjetër amerikane Linden Group, i sjell Shqipërisë një treg jo vetëm lokal të energjisë së gazit, por sidomos rajonal dhe më gjerë.

Referuar strategjisë së re, deri në vitin 2030, është planifikuar të vazhdohet me përfundimin e reformave të liberalizimit të tregut në kuadrin e integrimit rajonal. Skenari i Promovimit të Gazit Natyror, parashikon që kërkesa për gaz natyror, për të gjithë sektorët, të jetë  mbi 1520 Mm3, duke bërë që depërtimi i gazit natyror kundrejt furnizimit të përgjithshëm të burimeve primare të energjisë të arrijë në 20% deri në vitin 2030.

Kompania bullgare Overgas, ka shprehur interes për t’u furnizuar me gaz përmes Terminalit që do të ngrihet në Vlorë, një projekt me rëndësi të veçantë, i cili po bëhet realitet me kompanitë më të njohura amerikane.

Sakaq, Linden Group është një kompani e themeluar në vitin 1989, me më shumë se 20 vjet përvojë në industrinë e naftës. Grupi ka gjithsej 10 kompani në grupin e tij. Aktivitetet e kompanisë janë të fokusuara në mënyra të ndryshme në tregtimin e naftës bruto dhe tregtimin, shpërndarjen dhe tregtimin e produkteve të naftës, shërbimet financiare, prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve kundër terrorizmit dhe furnizimin e sektorit të mbrojtjes.

Memorandum i kësaj të hëne ka edhe një rëndësi të posaçme gjeostrategjike. Në tregun e gazit në Europën Juglindore ka tre zhvillime me rëndësi: Serbia do të furnizohet tanimë me gaz rus nga Bullgaria përmes, Balkan Stream, një degëzim i gazsjellësit Turkish Stream. Furnizimet nga Azerbajxhani drejt Bullgarisë përmes gazsjellësit, TAP, kanë shënuar fundin e monopolit të koncernit Gazprom në tregun bullgar. Vënia në punë e terminalit të ri të lëvizshëm për gazin e lëngshëm, LNG në ishullin kroat, Krk me gazin amerikan, i cili u modifikua dhe u fut në rrjetin e tubacioneve të vendit, po ashtu është i lidhur me rrjetin europian. Korridori jugor i gazit tanimë është funksional me dy gazsjellës: TANAP dhe TAP.

Përmes kësaj lidhjeje, gazi vjen në Shqipëri. Albgaz  është certifikuar si operator i kombinuar i gazit natyror. Kjo kompani ka marrë statusin e vëzhguesit pranë Rrjetit Europian të Operatorëve të Transmetimit të Gazit Natyror.

Projekti i terminalit Lundrues të Vlorës është krahasuar ditët e fundit nga autoritetet greke i të njëjtit nivel për Ballkanin me atë që ka Terminal i Aleksandropulos në Greqi për Europën.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme