Balluku: Opozita shkatërroi sistemin energjetik, ne po ndërtojmë Skavicën dhe TEC-in e Vlorës

Ekonomi | 5 vite më parë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kujtoi të enjten në Kuvend se PD në pushtet privatizoi kaskadat shtetërore dhe shkatërroi sistemin energjetik shqiptar, ndërsa  qeveria Rama po ndërton Skavicën dhe po diversifikon burimet e energjisë.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për sistemin e energjisë elektrike, Balluku tha se “në vitin 2013, para së të iknin nga pushteti ata vendosën të plaçkisnin dhe kaskadat ujore”.

“Morën kaskadën e Matit dhe e shpronësuan në shkëmbim të kompensimit të TVSH-së. Më pas privatizuan edhe kaskadën e Bistricës duke shkatërruar sistemin elektroenergjetik shqiptar dhe duke bërë të kemi atë mungesë që kemi sot e kësaj dite. Është absurde të dëgjosh autorin e gjithçkaje të shkuar mbrapsht në këtë vend në sistemin elektroenergjetik që të flasë për projektin e TEC-it të Vlorës dhe të tregojë se ky projekt duhej bërë prej kohësh, ndërkohë që fatkeqësisht sot e kësaj dite atje paguhet një kredi, sepse ai TEC u dizenjua gabim”, shtoi Balluku.

Balluku shtoi se “prej dy vitesh ne po bëjmë një nga projektet më të mëdha, atë të gazifikimit të vendit”.

“Projekti po bëhet me kompanitë më të mëdha amerikane të tregut, të cilat janë angazhuar për ta përfunduar këtë projekt në kohë rekord. Ne do të bëjmë jo vetëm ndezjen e TEC-it, që ju e mbanit atje si fantazmë ndërkohë që paguhej kredia, por edhe ndërtimin e tubit të  gazsjellësit nga porti i Vlorës në drejtim të tubit të TAP në Seman. Me këtë do të ndodhë injektimi i gazit nga porti i Vlorës në drejtim të tubit të TAP, për t’u shpërndarë në Itali e Bullgari”, shtoi Balluku.

Ministrja theksoi se “ne kemi avancuar në këtë projekt duke pasur në krah një nga partnerët tanë strategjikë”.

“Ju ëndërronit të kishit TEC-in e Vlorës, por nuk e bëtë dot, njëlloj si Skavicën, që sot po e quani një krim ambiental, ndërkohë që po ti kthehemi fjalimeve tuaja, atë e kthyet në kalë beteje, por nuk e përdorët kurrë”, tha Balluku.

Ministrja theksoi se “qeveria Rama ka nisur nga puna dhe sot në terren ndodhen grupet e ‘Bechtel’ që po punojnë për studimin gjeologjik, ndërkohë që po dizenjohet një paketë e përgjegjësisë sociale, që opozita nuk e ka imagjinuar ndonjëherë”.

“Kur ju dëgjojmë të thoni përralla, ju kujtoj se e latë këtë vend me 45 % humbje në sistemin e shpërndarjes. 50 % e prodhimit nga kaskadat para se t’i privatizonit humbeshin në rrjet. Dilnit në fushata dhe u thoshit njerëzve ‘nuk ka nevojë të paguani këto 3 muajt e fundit, se jua bëjmë ne dhuratë’. Ju nuk arritët të mblidhnit as 56 % të faturimit të rrjetit të shpërndarjes, privatizuat kaskadat shtetërore dhe shkatërruat sistemin energjetik”, tha ajo.

Ndërkohë, Balluku tha se kjo qeveri do të ndërtojë Skavicën dhe ka diversifikuar burimet e energjisë me paketa të tëra të parqeve fotovoltaike që kanë nisur të ndërtohen.

“Ju siguroj se anijet që do të parkohen në portin e Vlorës për të prodhuar energji më të lirë dhe tubi i gazsjellësit që do të lidhë Vlorën me Fierin dhe TEC-i i Vlorës janë të dizenjuara sipas parametrave të BE-së”, shtoi ajo.

Balluku u ndal te projektligji “Për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për programin “UKT Shpërndarja e Ujit”.

Sipas saj, projektligji ka për qëllim të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me ujë për 800 mijë qytetarë të Tiranës.

“Vlera totale e projektit është 144,5 milionë euro, nga të cilat 80 milionë euro janë hua nga Banka Europiane e Investimeve dhe pjesa tjetër investim nga fondet e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë”, tha Ministrja.

Balluku shtoi se “bëhet fjalë për ndërtimin e një burimi të ri, atë të Gurit të Bardhë, që ndodhet në verilindje të Tiranës”.

“Projekti është në përputhje me strategjinë kombëtare të sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve 2020-2030. Ky projekt është në përputhje me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të vendosura nga Kombet e Bashkuara”, shtoi ministrja.

Balluku tha se “një nga synimet e projektit është reduktimi i konsumit të energjisë, duke ditur se ujësjellësit kanë krijuar debi të vazhdueshme në sistemin e shpërndarjes”.

“Ndër vite ujësjellësit janë debitorët më të mëdhenj të OSHEE-së, duke krijuar kështu një zinxhir problematikash financiare në sektorin publik. Ndaj ne kemi nisur një iniciativë që shumë nga ujësjellësit, që kanë të nevojshme përdorimin e energjisë elektrike për shkak të sistemit të pompave, t’i pajisim me panelet fotovoltaike duke konsumuar më pak energji elektrike”, tha ministrja.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme