Deklarimi vjetor i të ardhurave për të dypunësuarit dhe individët me paga të larta, afat deri më 30 prill

Për individët me paga të larta, që kanë paguar taksat në pagat e tyre mujore, duhet të deklarojnë deri në 30 prill detyrimet e tjera që lidhen me tatimet mbi të ardhurat personale. Ky detyrim i takon atyre që janë të dypunësuar, brenda apo jashtë vendit dhe, të tjerëve që realizojnë të ardhura bruto deri në 2 milionë lekë.
Ky është detyrim i ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe akteve ligjore dhe nënligjore dalë në zbatim të tij, të cilat rregullojnë marrëdhëniet që lindin në fushën e tatimit mbi të ardhurat personale, tatimit mbi fitimin si dhe të tatimit të mbajtur në burim të ardhurave.
Detyrimi përfshin jo vetëm individët, por edhe tatimin mbi fitimin për shoqëritë tregtare si dhe të personave fizikë (tregtarë të regjistruar), kur janë subjekt i tatimit mbi fitimin.
Individët me rroga të larta, përveçse paguan taksat e pagave në pagesat e tyre mujore, i paguan tatimeve, gjatë vitit 2021 për deklarimet e vitit 2020 edhe 1 miliardë lekë (rreth 8 milionë euro) të tjerë në formën e tatimit mbi të ardhurat personale (TAP), sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Të ardhurat nga tatimi i deklaratave personale në vitin 2021 pësuan një rritje vjetore me 98%.
Individët rezidentë, detyrohen të plotësojnë dhe të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), në qoftë se ato realizojnë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet (brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë), në shumën e përgjithshme mbi dy milionë lekë.
Gjithashtu individët, të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi.
Tatimi mbi të ardhurat llogaritet si diferencë ndërmjet totalit të ardhurave bruto, me shpenzimet e zbritshme dhe të ardhurat nga punësimi, e cila përbën të ardhurën e tatueshme të individit. Kjo shumë tatohet me shkallën tatimore prej 15%.
Nëse nga plotësimi i deklaratës vjetore rezulton se individi tatimpagues duhet të paguajë tatim, bazuar në rubrikën “Totali për t’u paguar”, të deklaratës individuale vjetore të ardhurave, dorëzon në bankë formularin “Urdhërpagesë e tatimit mbi të ardhurat individuale”. Pagesa e tatimit kryhet jo më vonë se data 30 prill.
Deklarata vjetore e të ardhurave, mund të plotësohet edhe nga çdo individ, i cili megjithëse nuk e ka detyrimin ligjor për këtë, për arsye se dëshiron të përfitojë, nga skema e shpenzimeve të zbritshme, e parashikuar në këtë ligj, kur ky individ plotëson kushtet e përfitimit nga zbritja e shpenzimeve. Në këtë rast, shuma e të ardhurave bruto vjetore, nga të gjitha burimet duhet të jetë, jo më e madhe se 1 050 000 (një milion e pesëdhjetë mijë) lekë në vit (e indeksueshme çdo vit).
Që nga viti 2021 individët, të cilët kanë realizuar të ardhura jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe janë subjekt i deklarimit të Deklaratës individuale Vjetore të të ardhurave DIVA-2020, se këto të ardhura bruto dhe tatimin e paguar për to. Këto të ardhura duhet t’i raportojnë me saktësi në seksionin përkatës në këtë deklaratë, brenda datës 30 Qershor 2021.
Në kuadër të Shkëmbimit Automatik të informacionit, në baza reciproke, me administratat tatimore homologe të vendeve të tjera, Administrata Tatimore Shqiptare do të marrë dhe kryqëzojë të dhënat mbi llogaritë financiare të shtetasve shqiptarë (jorezidentë) në këto shtete.
Plotësimi i deklaratës
Deklarata vjetore e të ardhurave, plotësohet nga individi që mbart detyrimin për të deklaruar.
- Individi i cili ka detyrimin për të plotësuar e dorëzuar deklaratën individuale vjetore të të ardhurave personale, ka të drejtë të emërojë me prokurë, përfaqësuesin e tij ligjor për të plotësuar apo dorëzuar deklaratën e tij.
- Përfaqësuesi i individit deklarues është një person i përzgjedhur prej tij për ta përfaqësuar në lidhje me çështjet tatimore. Përfaqësuesi i individit, merr përsipër të drejta dhe detyrime të individit dhe administrata tatimore, është e detyruar të bashkëpunojë dhe operojë me të.
- Emërimi i një përfaqësuesi, nuk e shkarkon individin deklarues nga përgjegjësia tatimore.
Ai mbetet ligjërisht përgjegjës, për përmbushjen e detyrimeve tatimore të tij.
- Fakti që përfaqësuesi i individit, mund të bëjë një gabim në deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore, nuk e shkarkon këtë të fundit, nga përgjegjësia për gabimin.
Për t’u identifikuar si deklarues, si kod fiskal i individit shërben:
- numri i identifikimit personal, në letërnjoftimin e tij.
- për personin jorezident, nmuri i identifikimit personal, në letërnjoftimin e individit jorezident.
Deklarata përmban të dhëna për:
- të ardhurat bruto,
- shpenzimet e zbritshme të kryera,
- tatimet e paguara, gjatë periudhës tatimore (viti kalendarik)
Modeli dhe përmbajtja e Deklaratës
Modeli i formularit të Deklaratës Individuale Vjetore të të ardhurave, miratohet me udhëzim nga Ministri i Financave. Më poshtë do të gjeni modelin e miratuar të deklaratës (Formulari D1 dhe D2):
Modeli i Deklaratës (Formulari/D1):
Deklarata individuale vjetore e të ardhurave
Modeli i Deklaratës (Formulari/D2):
Deklarata individuale vjetore e të ardhurave për individët e huaj
- Në pjesën e parë të deklaratës,shënohet periudha tatimore që lidhet me vitin kalendarik, në të cilin individi ka përftuar të ardhurat, si dhe të dhëna identifikuese të tij.
- Në pjesën e dytë, paraqiten të dhënat që mundësojnë llogaritjen e tatimit, konkretisht:
Të ardhurat bruto
- Të ardhurat bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, plotësohet për totalin e pagave dhe shpërblimeve, që deklaruesi përfiton nga të gjitha marrëdhëniet e punësimit gjatë periudhës tatimore.
- Të ardhurat bruto nga dividenti për pjesmarrje në shoqëritë tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit, do të plotësohet, për shumën e dividentit që deklaruesi përfiton, nga të gjitha pjesmarrjet e tij në shoqëritë tregtare, apo veprimtaritë e biznesit.
- Të ardhurat bruto nga qiratë, do të plotësohet për totalin e të ardhurave bruto që individi realizon nga dhënia me qira e një ose disa objekteve.
Sqarim:
Në rastin e qiradhënies midis dy individëve perfituesi i të ardhurave është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor përkatës tatimin në masën 15% të të ardhurave të realizuara, jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa. Për këtë qëllimi shërben formulari:
Deklaratë e tatimit mbi të ardhurat nga burime të tjera
- Fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtëshme (toke, ndertese) në pronësi të deklaruesit, do të plotësohet për fitimin kapital te realizuar.
Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme, përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi).
Fitimi kapital është i barabartë me diferencën e çmimit të shtijes me çmimin e blerjes së pasurisë së paluajtëshme.
- Të ardhurat bruto nga interesat bankare, do të plotësohen për totalin e të ardhurave nga interesat bankare që individi ka përfituar, gjatë periudhës tatimore.
- Fitimi kapital neto i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtëshme do të plotësohet për totalin e fitimeve të realizuara nga investimet në tituj, shitje aksionesh, e pasuri të paluajtëshme, përvec se tokë e ndërtesë
Me termin “fitim kapital i realizuar” kuptohet diferenca ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë.
Në rastin e shitjes së aksioneve,vlera e tatueshme është diferenca midis të ardhurave nga shitja e aksioneve me vlerën nominale ose të blerjes aksioneve.
- Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojra të tjera të fatit, do të plotësohet për totalin e shumave bruto të fituara nga lotaritë apo lojra të tjera të fatit.
- Të ardhura bruto nga pasuri intelektuale liçensa, të drejta ekskluzive dhe pasuri të tjera që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike, do të plotësohet për totalin e të ardhurave bruto nga të gjitha, sa përshkruar më sipër.
- Fitimet kapitale nga dhurimi, do të plotësohet për shumën e fitimeve kapitale të realizuara nga dhurimi. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit, transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor, do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes.
- Të ardhurat bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të plotësohet për totalin e të ardhurave bruto, të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
- Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart, do plotësohet për totalin e të ardhurave bruto të tjera, të cilat nuk janë të përfshira në të ardhurat e sipërshënuara.
Shpenzime të zbritshme
- Shuma e interesit bankar të kredisë së marrë, për shkollim për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, do të plotësohet për shumën e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, nga banka brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
- Shpenzimet për mjekim për vete, apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, do të plotësohet mbështetur në faturat e lëshuara nga institucionet shëndetësore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, për justifikimin e shpenzimeve për mjekim,sipas përcaktimeve në aktet nënligjore.
Tatimi i llogaritur për t’u paguar
Llogaritet shuma e të ardhurave të tatueshme, për diferencën ndërmjet:
- shuma e të ardhurave bruto, me
- shuma e shpenzimeve të zbritshme.
Llogaritet shuma e tatimit, që rezulton nga shumëzimi i:
- të ardhurave të tatueshme, me
- shkallën tatimore 15%.
Tatime të paguara gjatë periudhës tatimore
Rubrikat të veçanta të deklaratës plotësohen me:
- tatime të paguara gjatë vitit kalendarik, llogaritur mbi të ardhurat bruto.
- tatimin e llogaritur e të paguar, mbi të ardhurat bruto të realizuara jashtë territorit të Repubikës së Shqipërisë.
- kreditimi i tatimit te huaj, është shuma në lekë e tatimit të huaj e paguar nga individët, për të ardhurat me burim nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, deri në masën që këto të ardhura do të tatoheshin me shkallën tatimore 15%.
Tatimi i paguar tepër nga viti i mëparshëm dhe i parimbursuar, plotësohet për shumen e tatimit të paguar tepër, nga viti i mëparshëm dhe që rezulton i parimbursuar deri në ditën e deklarimit.
Kërkesë për rimbursim, plotësohet për shumën që kërkohet të rimbursohet.
Tatimi i paguar tepër (për rimbursim), plotësohet për diferencën nëse tatimi i paguar gjatë periudhës tatimore, është më i madh se tatimi i llogaritur sipas deklaratës .
Tatimi i detyrueshëm për t’u paguar, plotësohet për diferencën midis:
- shumës së tatimit të llogaritur sipas deklaratës, minus
- shumën e tatimit të paguar,
- minus tatimin e paguar tepër nga viti i mëparshëm dhe i parimbursuar.
Mënyra e deklarimit
Dorëzimi për:
- formularin D1 – Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave;
- formularin D2 – Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave për Individët e Huaj,
kryhet nëpërmjet formës elektronike dhë është i disponueshëm në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Afati i deklarimit
Individët rezidentë dhe individët jorezidentë, subjekt i deklarimit, dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore, jo më vonë se data 30 prill, e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




