Rritja e çmimit të karburanteve, Rama: Qeveria nuk e ka të mundur kontrollin e çmimeve në bizneset private

Kryeministri Edi Rama, në një replikë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, lidhur me rritjen e çmimit të karburanteve, u shpreh se qeveria nuk ndërhyn në rritjen çmimeve.
“Çfarë po ndodh me çmimin e naftës dhe miellit? Si është e mundur qe nuk ka një kontroll për këto gjëra? S’është e drejtë të rriten çmimet në çdo sekond. Duhet të keni një zgjidhje për këtë”, e pyet komentuesi kryeministrin.
Por kryeu i qeverisë, në përgjigje të tij, shkruan se qeveria nuk e ka të mundur kontrollin e çmimeve në bizneset private.
“Po bëhet luftë, luftë prej vërteti, luftë me bomba e me viktima e me plagë te jashtëzakonshme, kjo po ndodh dhe po të ishte i mundur kontrolli i çmimeve nga qeveria, do e kishte ndonjë qeveri në Europë ku çmimet po rriten edhe më frikshëm se këtu, ndërkohë që këtu nuk po rritet ende energjia elektrike, pikërisht sepse shteti që e shet dhe e blen energjinë, ndryshe nga nafta e mielli e tërë të tjerat që shiten e blihen nga privatet, po e mban me dhëmbë kur i thonë llafit pikërisht që të lehtësojë sadopak familjarët! Që s’është e drejtë kjo nuk diskutohet, po s’ka si të mos ndodhë në këto kushte alarmi në të gjitha tregjet dhe me sanksionet ndaj Rusisë që është eksportuesi më i madh në Europë i gazit, naftës dhe grurit, por ama nga ana tjetër s’ka se si të mos e marrim edhe ne bashkë me tërë të tjerët, një pjesë të barrës së luftës së ukrainasve kundër një agresioni ushtarak mbi shtetin e tyre sovran e demokratik, sepse historia na ka mësuar më shumë se një herë që kush mbyll sytë kur i vjen tjetrit lufta në shtëpinë e vet, shumë shpejt e ka luftën në shtëpinë e tij”, i përgjigjet Rama-komentuesit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




