Presidenti Meta: Komision hetimor parlamentar për tregun e karburanteve

Ekonomi | 5 vite më parë

Presidenti Ilir Meta zhvilloi të martën një takim me Administratorin e Përgjithshëm të “Konfindustria”, Gjergj Buxhuku.

Meta theksoi se, në takim u diskutua “për situatën tepër kritike të rritjes së çmimit të karburanteve dhe të energjisë elektrike në vend, me pasoja shkatërruese afatshkurtra dhe afatgjata për qytetarët shqiptarë dhe ekonominë kombëtare”.

“I shpreha mbështetjen e plotë për kërkesën e “Konfindustria” drejtuar Autoritetit të Konkurrencës për të hetuar sa më shpejt dhe me përgjegjësi mënyrën se si funksionon tregu strategjik i karburanteve, praninë e përqendrimeve, karteleve dhe oligopoleve, si dhe marrjen e masave ligjore përkatëse në mbrojtje të interesit publik”, tha Meta në një reagim.

“Nisur nga rëndësia e veçantë për ekonominë kombëtare dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, e përkrah fuqimisht kërkesën e “Konfindustria” drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për tregun strategjik të karburanteve, si dhe punën e agjencive rregullatore, efektiviteti i të cilave ka qenë tepër i ulët në mbrojtje të interesit qytetar”, theksoi Presidenti Meta.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme