Borxhi i lartë, Meta këshillon : “Reflektimi i menjëhershëm, efektiv dhe i përgjegjshëm është domosdoshmëri!”

Presidenti shqiptar Ilir Meta sërish ka shprehur shqetësimin e tij mbi nivelin e lartë të borxhit publik në Shqipëri. “BORXHI PUBLIK NË MAJË, POR PROSPERITETI PËRTOKË!” shkruan zoti meta në rrjetet sociale të shtunën. Duke kujtuar parimin se “Futesh në borxh për t’u përmirësuar dhe jo për t’u përkeqësuar!” zoti meta shkruan se kundërta ndodh me Shqipërinë.
Kreu i shtetit shqiptar i referohet Indeksit të Prosperitetit, të përgatitur nga Legatum Institute, institucion i pavarur prestigjoz i përpunimit të statistikave që vijnë nga burime të besueshme, sipas të cilit rezulton se vetëm brenda dy viteve të fundit Shqipëria ka përkeqësuar me tre shkallë treguesin e prosperitetit, duke rënë në vendin e 69-të për vitin 2021, nga vendi i 66-të, që ndodhej në 2019.
Presidenti Meta shkruan se “Në terma konkretë, qëndrueshmëria fiskale, dinamizmi ekonomik, fuqia punëtore janë ndër më të ulëtat në Europë”.
Në pikiatë rezultojnë cilësia e qeverisjes, e ekonomisë, zbatimi i ligjeve, respektimi i të drejtave të pronësisë, zbatimi i kontratave dhe detyrimeve.
Cilësia e jetës së qytetarëve shqiptarë ka rënë në tërësi dhe pothuajse jemi ndër të fundit në botë për besimin ndaj institucioneve.
Gjendja është e rëndë dhe përkeqësimi nuk ndalet!” shkruan kreu i shtetit shqiptar.
Sipas tij duhet “Reflektimi i menjëhershëm, efektiv dhe i përgjegjshëm është domosdoshmëri!”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




