Shqipëria arrin nivelin e Prodhimit të Përgjithshëm të Brendshëm të parakrizës

Shqipëria shënon të jetë vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që arrin nivelin e Prodhimit të Përgjithshëm të Prendshëm të parakrizës.
Jo vetëm ky grafik i Trading Economics, që mat besimin e biznesit në Shqipëri, tregon që besimi i biznesit u kthye në nivelin e para krizës. Në të njëjtën kohë kredia për ekonominë është rritur me 6.29% për dhjetëmujorin dhe investimet e huaja direkte u rritën me 11% në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Treguesit e realizuar e detyruan qeverinë të rialokojë të ardhura shtesë, përtej parashikimeve të fund vitit, prej 18.2 miliard lekësh, duke arritur në nivelin e mbi 500 miliardë lekëvë ose shifra më e lartë historike, si në nivel absolut ashtu dhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Shifrat e deklarura zyrtarisht tregojnë se rritja ekonomike për vitin 2021 është përtej çdo parashikimi, vendas dhe të huaj.
Në raportin e pranverës të Bankës Botërore, rritja ekonomike e parashikuar ishte 4.4% për qind, ndërkohë që, duke parë ecurinë e të ardhurave, rritja reale është e parashikuar me 7.8% në fund të këtij viti.
Kjo rritje ekonomike përfshin të gjithë sektorët e ekonomisë.
Burimet ekonomike kryesore të rritjes, të cilat i lejuan Shqipërisë të jetë vendi i parë në rajon, që arrin nivelin e PPB-së të parakrizës, sipas Ministrisë së Financave, janë:
• industria nxjerrëse, e cila është rritur me 15.4%,
• industria përpunuese me 9.8%,
• tregtia me shumicë dhe pakicë me 7.6%,
• transporti dhe magazinimi me 23.2%,
• akomodimi dhe ushqimi me 28.2%,
• aktivitetet financiare dhe të risigurimit me 11.8%,
• dhe ndërtimi me 10.3%.
Vlen të theksohet se të ardhurat tatimore të vitit 2021 rezultojnë mbi 8% më të larta se ato të vitit 2019, i konsideruar ky si vit normal, çka tregon se tashmë ekonomia shqiptare e ka marrë ritmin e saj të rritjes, ndërkohë që krahasuar me vitin 2020, i konsideruar si viti me efekte të mëdha negative në ekonomi të shkaktuar nga pandemia, rritja është mbi 18 %.
Ekspertë të ndryshëm kanë komentuar se rritja në të ardhura ka qënë efekt i importit të çmimeve të larta të mallrave dhe shërbimeve të tregut ndërkombëtar.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave raportojnë se në të ardhurat doganore, rreth 80 % e rritjes, krahasuar me vitin e kaluar, i referohet rritjes ekonomike, pra volumit të importeve, ndërsa vetëm rreth 20 % e shtesës së të ardhurave i referohet rritjes së çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




