Investimet strategjike, afati i paraqitjes së kërkesave deri në 31 dhjetor 2023

Ekonomi | 5 vite më parë

Sipërmarrjet që synojnë investime strategjike në Shqipëri, do të kenë afat deri më 31 dhjetor të 2023, që të paraqesin kërkesat për investime të kësaj natyre, duke përfituar statusin investim/ investitor strategjik procedurë e asistuar/veçantë.

Relacioni që shoqëron projektligjin që është depozituar për shqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë, argumenton se shtyja e afatit vjen si një mundësi më shumë, për t’i mundësuar investitorëve të paraqesin kërkesat e tyre.

Ligji për investimet strategjike u miratua në vitin 2015 dhe që një investim të cilësohet i tillë duhet të plotësojë kriteret që lidhen me interesin publik dhe aspektin financiar.

Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, interesi publik në përzgjedhjen e një investimi strategjik vlerësohet ndër të tjera, sipas vlerës së investimit, kohës së realizimit, produktivitetit dhe vlerës së shtuar të tij, hapjes së vendeve të reja të punës, zhvillimit ekonomik rajonal dhe lokal, ofrimit të teknologjive të reja për rritjen konkurrencën dhe efektivitetit të investimit, mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit, etj.

Kriteri financiar, sipas sektorit strategjik ku realizohet investimi, apo statusit të tij, varion nga një vlerë investimi e barabartë me, ose më e madhe se 1 milion euro deri në një vlerë të barabartë me, ose më e madhe se, 50 milionë euro. Gjithashtu, për investitorët e interesuar të investojnë në sektorë të ndryshëm nga ata të përmendur më lart, kapitali investues i projektit përkatës duhet të jetë i barabartë me, ose më i madh se 100 milionë euro në mënyrë që të konsiderohet investim/investitor strategjik.

Ligji parashikon si investime strategjike, investimet private, publike ose publiko-private, në sektorë të ndryshëm si energjia dhe minierat, transporti, telekomunikacioni, infrastruktura dhe mbetjet urbane, turizmi, bujqësia dhe peshkimi, zonat ekonomike, zonat me prioritet për zhvillim.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme