Rama ironizon planin e Bashës për daljen nga kriza

Kryeministri socialist Edi Rama ka ironizuar planin e kreut të opozitës Lulzim Basha, duke i quajtur atavizma të kohës së Sudes e Vehbiut, ish krerët e firmave piramidale që lulëzuan në mes të viteve ’90 në Shqipëri dhe me rënien e tyre shkaktuan trazira sociale që e çuan vendin në prag të luftës civile.
“Ne nuk jemi atavizma të kohës së Sudes e Vehbiut, ne nuk jemi qeveria e Sudes dhe Vehbiut” tha zoti Rama.
“Unë do të doja që ju të verifikoni sa ka qenë çmimi i naftës në vitin 2013? Verifikojeni sa e kanë blerë sa ka qenë në pikat e karburanteve të Shqipërisë, më lirë apo më shtrenjtë se sot, pastaj diskutojmë për të tjerat” tha ai në përgjigjen e tij. Teoria hiq këtu e hiq atje ka një problem, këto janë të gjitha para që ikin, me çfarë do t’i bëjë Shqipëria paratë nëse ulen të gjitha, ne flasim për Gjermaninë e të tjerët por bëjini pak mirë llogaritë sa paguajnë qytetarët atje? Sa sigurime paguhen atje për të marrë një shërbim shëndetësor më të mirë? Një pension? Bëjini edhe me këto krahasimet. Këto kërkesat me bëje rrafsh arkën e shtetit se shihemi nesër janë të sudes” tha zoti Rama.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha i propozoi shumicës socialiste një plan me 7 pika për të përmirësuar ekonominë dhe mirëqënien e qytetarëve. Në seancën plenare, të enjten, Basha propozoi:
Heqjen e taksës Rama për karburantin.
Ulja e TVSH nga 20% në 6% për ushqimet.
Respektimi i ligjit për çmimin real të energjisë.
Subvencionimi i çmimit të energjisë për qytetarët.
Ndalimi i shpenzimeve luksoze të OSSHE-së dhe KESH-it, duke e rritur cmimit e energjisë.
Ristrukturimi i buxhetit për ta vendosur në shërbim të qytetarëve.
Më shumë para për shtresat në nevojë.
Subvencionimi i çmimit të energjisë pritet të jetë një nga masat e paketës së propozuar nga qeveria për familjarët dhe bizneset e vogla.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




