Shtrenjtohen importet, rritja më e madhe tek produktet e preparatet farmaceutike

Ekonomi | 6 vite më parë

Produktet dhe preparatet farmaceutike duket se kanë shënuar rritjen më të madhe të çmimeve në import, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave. Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e katërt të vitit 2020, arriti 95,1 duke shënuar rritje me 0,2%, në krahasim me tremujorin e katërt 2019. Krahasuar me tremujorin e tretë 2020, indeksi shënoi rritje me 0,5%.

“Rritja më e madhe e çmimeve të importit prej 0,5% vërehet në produktet e seksionit ‘Industria përpunuese’. Brenda këtij seksioni, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit ‘Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutike’ me 4,6%, pasuar nga aktivitetet ‘Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 3,1%, ‘Prodhimi i drurit dhe produkteve prej druri dhe dushku, përveç mobilieve; prodhimin e artikujve prej kashte dhe xunkthi’ me 2,5%, ‘Përpunimi i produkteve ushqimore’ me 2,4%, etj. Nga ana tjetër, çmimet në aktivitetin “Prodhimi i produkteve të duhanit” shënuan ulje me 4,8%, pasuar nga ‘Prodhimi i produkteve të kauçukut dhe plastikës’ me 4,0%, ‘Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës’ me 3,1%” vëren INSTAT.

Në raporte tremujore, INSTAT nënvizon se Indeksi i Çmimeve të Importit në tremujorin e katërt 2020 shënoi rritje me 0,5%, krahasuar me tremujorin e tretë 2020. Indeksi në seksionin “Industria përpunuese”, e cila zë peshën më të madhe në vlerën e importeve, shënoi rritje me 0,4%.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme