Sejko takim me Misionin e FMN-së: Ekonomia rimëkëmbet gradualisht në 2021 dhe 2022

Ecuria e ekonomisë shqiptare, pikëpamjet mbi perspektivat makroekonomike, zhvillimet në sistemin financiar dhe çështjet e sistemit bankar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike dhe përgjigjet e autoriteteve rregullatore në këtë drejtim, si dhe pritshmëritë për rimëkëmbjen ekonomike ishin ne qender te diskutimeve te takimit permbylles online qe zhvilloi guvernatori Gent Sejko me Misionin e FMN-së në Shqipëri.
Guvernatori Gent Sejko u shpreh se në përgjigje të krizës së krijuar nga pandemia dhe për të zbutur efektet negative të saj, të gjithë aktorët publikë në vend morën masa ekonomike të koordinuara në aspektin fiskal, monetar dhe makroprudencial. Rikuperimi i ekonomisë u ndihmua nga stimuli fiskal i transmetuar gjatë vitit 2020 dhe nga politikat stimuluese monetare dhe financiare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.
Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësuan se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike. Gjithashtu kontributi i dhënë nga autoritetet shqiptare në menaxhimin e goditjes së pandemisë në ekonomi veçanërisht nëpërmjet harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare ka ndikuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë dhe krijimin e kushteve për rifillimin e rimëkëmbjes ekonomike.
Banka e Shqipërisë dhe përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar ndanë të njëjtat parashikime lidhur me perspektivën ekonomike dhe me ecurinë e PBB-së, e cila pritet të rimëkëmbet gradualisht në vitet 2021 dhe 2022, ku një ndër sektorët që pritet të ketë një kontribut të lartë në këtë drejtim është ai i turizmit. Megjithatë ritmi i rimëkëmbjes do të varet nga evolucioni i pandemisë dhe shpejtësia e vaksinimit të popullsisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




