Balluku: Investimet në energji plotësojnë kërkesat e konsumatorit për 10 vitet e ardhshme

Ekonomi | 6 vite më parë

“Investimet në fushën e energjisë janë investime të cilat i vijnë në ndihmë konsumatorit për 10- 20 vitet e ardhshme. Humbjet në rrjet sot janë rreth 20%, ndërsa në vitin 2013 ishin 45%”.

Kështu deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku sot në Farkë, ku inspektoi investimet dhe punën e bërë në këtë nënstacion, i cili i shërben me energji elektrike të paktën 40 mijë banorëve.

“Në nënstacionin elektrik të Farkës është investuar për rritjen e kapaciteteve dhe instalimin e pajisjeve të reja. Falë kësaj ndërhyrje, përmirësohet cilësia dhe siguria e furnizimit me energji elektrike për 40 mijë banorë. Në këtë nënstacion, janë bërë tre faza investimi. Në vitin 2013 u ndërtua  krejtësisht i ri,në kushte emergjence. Ndërtimi i tij, u mbi lumin e Farkës. Kjo solli që sa herë binte shi, nënstacioni dilte jashtë pune, duke e lënë jashtë funksionimit për disa ditë. Më pas u bë investimi i dytë, duke ndërhyrë tek lumi dhe duke krijuar një bypass  të lumit, që ka sjell 100% shfryrjen e lumit dhe normalizimin e kësaj situate, duke lënë në punë nënstacionin. Në vitin 2019 u parashikua rritja e ngarkesave në këtë nënstacion, duke llogaritur dhe investimet e bëra në zonë, fshatrat turistik, bujqësinë…etj”, tha Balluku.

Ministrja Balluku tha se zona e Farkës ka njohur tej mase zhvillim. “Kjo zonë që ka pika bujqësore, ferma biologjike, që bëjnë eksportet të prodhimeve të tyre jashtë vendit, është një zonë që ka njohur zhvillim. Këtu është rritur dhe një degë e agrobiznesit me bujtina të ndryshme të cilat banorët e Tiranës dhe qyteteve të tjera i vizitojnë. Zona ka patur zhvillim të jashtëzakonshëm vitet e fundit”,- tha Balluku.

“Ky investim i përgjigjet zhvillimit të zonës, ofron kapacitetet e kërkuara nga rritja e popullsisë dhe zhvillimit të këtij rajoni”,- vijoi Balluku.

“Kjo ka qenë një zonë jo shumë e zhvilluar, por për shkak të gjitha ndërtimeve, zonave rezidenciale, kemi patur një bum qytetarësh, një lëvizje demografike të banorëve të Tiranës në juglindje të saj, prandaj është nevojitur dhe rritja e kapaciteteve të prodhimit të energjisë”,- tha Balluku.

“Na është dashur të ndërhyjmë në të gjithë Shqipërinë që prej vitit 2013 e deri më sot. Padyshim që kemi edhe shumë punë për të bërë. Pasi ne kemi ambicien të investojmë për të plotësuar kërkesën e konsumatorëve të energjisë në qyteteve apo zona rurale për një 10- vjeçar tjetër apo më shumë. Ka patur një vendosje prioritetesh, duke u nisur nga kritere të tilla si dendësia më e madhe e popullsisë, apo ku ka qenë nevoja për të ndërhyrë menjëherë”,- vijoi Balluku.

“Duhet theksuar edhe një fakt tjetër, nuk duhet të harrojmë që investimet bëhen nga OSHE. Dhe në këtë drejtim, na duhet një kohë e vitit, ku thatësira rëndon, të ndërpresim të gjitha investimet, pasi na duhet të blejmë energji. Ne nuk duam të jemi si në 2006 apo 2007 që na thonin kaq është kapaciteti, do kemi vetëm 4 orë drita në ditë dhe pastaj me qiri. Ne kemi dhe këtë kompleksitet, që do zgjidhet me të gjitha kapacitet e reja që po ndërtohen”,-garantoi Balluku.

“Me parkun e ri të Spitallës, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës dhe investime të tjera, do të sjellin plotësimin e kërkesës së energjisë elektrike në vend. Natyrisht do të vazhdojmë të kemi shkëmbimin përmes bursës energjetike, por kjo do të bëhet vetëm për arsye të financave dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike, apo të prodhuesve të energjisë elektrike, por jo si nevojë imediate për të mbuluar nevojën tonë për energji elektrike. Investimet do të vazhdojnë, kemi studime për të gjitha zonat.  Kemi bërë investime në nënstacione në zonat kryesore, po ashtu pritet në të ardhmen të bëjmë rritje të investimeve dhe për zonat rurale, por kjo duke patur parasysh se po risim kapacitetin e prodhimit të energjisë në vend me qëllim që në fund e gjithë energjia e kërkuar nga konsumatori në vend të prodhohet në vend e të menaxhohet në vend”,- theksoi Balluku.

Ministrja Balluku shtoi se humbjet në rrjet kanë rënë nga 45% në 2013, në 20% në fund të vitit 2020.

“E gjithë energjia sot në vendin tonë është e prodhuar nga hidrocentralet tona në kaskadën e Drinit. Humbjet në rrjet, i kemi gjetur në 45% në vitin 2013, sot e kemi mbyllur 2020-ën me  me rreth 20% humbje. Vijon puna edhe në këtë drejtim. Ky nënstacion është një shembull i si ndërtohet sot dhe si u ndërtonte dje”,- përfundoi Balluku.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme