Shtohen prurjet në kaskadën e lumit Drin, prodhimi ditor 24 mijë MWh

Ekonomi | 6 vite më parë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) informoi sot se prurjet në kaskadën e lumit Drin janë shtuar për shkak të reshjeve intensive që përfshinë vendin duke arritur në 1100 m3/s, ndërsa po vijon prodhimi me kapacitetet maksimale, duke bërë të mundur plotësimin e të gjithë kërkesës për energji elektrike në vend.

KESH po ashtu informoi se po kryhen shkarkime nga të tre HEC-t mbi kaskadën e Drinit.
Niveli i ujit në liqenin e hidrocentralit të Fierzës është 291.42 m, nga 296 m që është kuota maksimale; në HEC-n e Komanit 170.63 m, nga 175.5 m dhe HEC-n e Vaut të Dejës, 71.88 m, nga 76 m që është kuota maksimale.

Në HEC-n e Fierzës prodhimi ditor është 6756 MWh, në Koman 13297 MWh, ndërsa në Vaun e Dejës, 4320 MWh.

”Prodhimi total llogaritet 24373 MWh (ditor) dhe plotëson të gjithë kërkesën për energji elektrike të konsumit për vendin”, bën të ditur KESH.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESH-i, në HEC-in e Fierzës shkarkimi nga prodhimi është 310 m3/s, ndërsa shkarkimi nga portat 400 m3/s. Në HEC-in e Komanit shkarkimi nga prodhimi është 678 m3/s, ndërsa nga portat 300 m3/s. Në HEC-in e Vaut të Dejës shkarkimi nga prodhimi është 420 m3/s dhe 850 m3/s nga portat.

“KESH do të vijojë të monitorojë situatën duke garantuar sigurinë e plotë të digave, furnizimin me energji elektrike të konsumatorit vendas dhe shmangien e ndikimit negativ të shkarkimeve në zonën e Nënshkodrës”, thuhet në njoftimin e KESH-it.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme