Punë, jo gjumë, Rama dhe Balluku inspektojnë punimet e Unazës së Madhe

Ekonomi | 6 vite më parë

 Në kantierin e Unazës së Madhe po punohet ditë e natë me ritme të shpejta për të përmbyllur këtë vepër brenda një kohe sa më të shkurtër.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku kanë inspektuar mbrëmjen e sotme punimet e Unazës së Madhe të Tiranës konkretisht në lotin 1.

“Kjo është nyja më komplekse që ka Shqipëria. Ky është një shembull vizual për të kuptuar dallimin që kanë kilometrat në varësi çfarë bëhen në rrugë. Se njerëzit manipulohen shpejt nga ato budallaqet që një kilometër shkoj kaq ose një kilometër shkoj aq. Këtu jemi në një kilometër që nuk është një kilometër në fushë që vë stabilizantë dhe vë asfalt këtu është gjithë kjo masë gjigante volumesh që faktikisht është sa për kushedi se sa kilometra në fushë”, tha Rama.

“Ndodhemi në tunelin e 4-të i cili ka përfunduar dhe ka qenë pjesë e fazës së dytë të projektit dorëzuar në tetor të 2020 dhe ndërkohë po vijojnë punimet përsa i përket tunelit 3 dhe 2. Ky tunel i përfunduar ku ndodhemi praktikisht do lidhet praktikisht me segmentin që do vij nga Bulevardi i Ri deri në me sheshin “Shqiponja” ndaj nuk do jetë operativ dhe për disa kohë. Ndërkohë tuneli 3 është ai që ne do hapim më 15 mars për të menaxhuar trafikun që vjen nga Pallati me Shigjeta në drejtim të Durrësit”, tha Balluku.

“Në mes të marsit do kemi lehtësim të madh. Në dhjetor 2021 përfundon e gjitha. Në fakt mendojmë ta mbarojmë më parë nga tetori, të paktën lotin 1”, tha Balluku bashkë me inxhinierin.

“Mbi 750 punonjës janë të aktivizuar. Këtu kemi 5 tunele që kanë të gjithë pjesën e menaxhimit. Është hera e parë që do kemi një nyje, shumë e rëndësishme pavarësisht se ndodhet në kryeqytet. Do kemi lulishte zona kreative. Kjo pjesë do menaxhojë trafikun. Jemi duke folur për një projekt shumë të komplikuar”, u shpreh Balluku.

“Projekti bashkisë për lumin Lanë duhet rakorduar me projektin tonë tek ura ne bëmë mbingritjen e kësaj ure që rrugët të kalonin poshtë. Po ashtu tek nyja Astirit ne kemi bërë një piacë minishqiponjë e cila rregullon trafikun me semafor nga një sens në dy sense në rrugët dytësore. Të gjithë linjat nëntokësorë tashmë janë kryer. Për një javë ne bëjmë menaxhimin e trafikut. Krijojmë një rrethrrotullim tek Astiri dhe zhvendosim Unazën në pjesën e Astirit”, u shpreh inxhinieri i projektit.

Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë. Përfundimi i saj në vitin 2023 lehtëson trafikun brenda Tiranës, ndërsa e lidh kryeqytetin me të gjithë rrugët dalëse kombëtare.

Unaza e Madhe do të lehtësojë trafikun në kryeqytet, por do të jetë edhe një tjetër vepër që rrit imazhin e Shqipërisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme