Buxheti 2021/ Mbështetje për shëndetësinë, shtresat në nevojë dhe kthimin e qytetarëve në banesat e rindërtuara

Buxheti i vitit 2021 është konsideruar si buxheti i rimëkëmbjes, pas dy goditjeve të njëpasnjëshme që mori vendi, tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga virusi Sars-cov-2.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se qeveria shqiptare është e angazhuar në konsolidimin e financave publike përgjatë viteve të ardhshme, por mbi të gjitha në zbatimin e një buxheti që siguron mbështetje për shëndetësinë, shtresat në nevojë dhe kthimin e qytetarëve të prekur nga tërmeti në banesat e tyre të rindërtuara.
Buxheti i vitit 2021 siguron financimin publik më të madh për shëndetësinë, një buxhet që mbështet mbrojtjen e shëndetit publik dhe profesionistët e shëndetit me rritjen e pagave me 40%.
Po ashtu, garanton investime madhore në shëndetësi, nga investimet në dy maternitetet e Tiranës, përfundimin e materniteteve të Kukësit, Beratit dhe Lezhës, tek investimi në pediatrinë e Elbasanit, në spitalin e Shkodrës dhe vijimin e programit të rehabilitimit të qendrave shëndetësore nga veriu në jug.
Buxheti garanton mbështetje për fëmijët e porsalindur me bonusin e bebes dhe sigurimin e mbështetjes për personat që përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar dhe familjet në ndihmë ekonomike.
Në të njëjtën kohë në buxhetin e vitit 2021 janë parashikuar 28 miliardë lekë për Rindërtimin pas tërmetit.
Përmes buxhetit të vitit që vjen është siguruar edhe rritja e pagave për mësuesit në të gjithë vendin me 15%.
Ndërkohë niveli i investimeve është parashikuar 7.2% e PBB-së ose 122 miliardë lekë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




