Denaj: “Dogana pa Letra”, reduktoi radhën në sportelet e shërbimit për 93% të bizneseve

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori sot pjesë në takimin e 11 të Ministrave të Tregtisë së vendeve të Mesdheut, për çështjet e zgjerimit të marrëdhënieve tregtare.
Denaj në fjalën e saj, nënvizoi disa nga arritjet kryesore që vendi ynë ka realizuar deri më tani si, projektin ambicioz “dogana pa letra”, reduktimin e disa prej tarifave doganore, pjesëmarrjen e biznesit në proceset e vendimmarrjes dhe politikë bërjes, krijimin e Komitetit Kombëtar për Politikën Tregtare dhe Koordinimin e Lehtësimit të Tregtisë, ratifikimin e Protokollit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë midis Shqipërisë – Turqisë, mbi rregullat e origjinës sipas konventës Pan-Euro-Med.
“Shqipëria zbatoi një projekt shumë ambicioz në vitet e fundit, shërbimin e “doganave pa letra” (Customs Paperless). Kjo iniciativë ka sjellë reduktimin e kohës së përpunimit të deklaratave doganore në vitin 2020 me 10% për importet dhe me 16% për eksportet. Në fakt të dhënat e doganave tregojnë se kontrollet fizike janë reduktuar që nga viti 2019 dhe që nga ky vit (viti 2019), 93% e bizneseve nuk paraqiten fizikisht në sportelet e shërbimit”, theksoi Denaj.
Për 2021-2024, sipas Planit Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, tha ministrja, shpresojmë në një angazhim të zgjeruar politik të gjashtë Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, me qëllim rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit dhe reduktimin e kostove mbi tregtinë. /rtsh.al
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




