Festivali i Akuarelit në Lushnjë promovon zonat turistike dhe bukuritë e natyrës në vend

Kulturë | 2 vite më parë

Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit 2024 po zhvillohet këto ditë në Lushnjë. Artistë të shumtë, nga vendi dhe bota, pjesëmarrës në këtë festival, do të ekspozojnë pikturat nga peizazhet më të bukura, një pjesë e të cilave do të krijohen gjatë ditëve të këtij eventi.

Në çelje të tij kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa u shpreh se ky festival do te shërbejë për nxitjen e jetës artistike e kulturore në këtë qytet, si edhe njohjen me potencialin turistik të trevës myzeqare.

“Duke qenë djepi i artit dhe kulturës, duhet që të zhvillojmë sa më shumë aktivitete në mënyrë që qytetarët e Lushnjës të mbetën të kënaqur dhe ta shijojnë këtë art pafund”, tha Sefa.

Piktori Helidon Haliti, ka ekspozuar në sallën e muzeut historik të qytetit, 10 nga veprat e tij. Ai thekson se të huajt janë mrekulluar nga peizazhet e natyrës në Lushnjë e Divjakë.

“Lushnjarët mundohen gjithmonë të tregojnë apo të shfaqin mirësinë e tyre në të gjithë botën”, tha piktori.

Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit do të zgjasë deri në datën 15 maj. Qëllimi i tij është jo vetëm të prezantojë talentet botërorë, por edhe të promovojë zonat turistike shqiptare dhe bukuritë e natyrës.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme