Trump: Një marrëveshje me Iranin mund të arrihet

Botë | 51 minuta më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se një marrëveshje me Iranin mund të jetë e arritshme, duke shënuar një ndryshim të dukshëm në retorikën mes Uashingtonit dhe Teheranit, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump deklaroi se rënia e çmimeve të naftës lidhet me pritshmëritë për shmangien e një konflikti të ri ushtarak në Lindjen e Mesme.

“Çmimet e naftës po bien ndjeshëm sepse njerëzit mendojnë se nuk do të ketë luftë me Iranin. Irani dëshiron të arrijë një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur. Mund të ndodhë!”, shkroi presidenti amerikan.

Deklarata vjen pas toneve shumë më të ashpra të përdorura nga Trump gjatë fundjavës, kur ai paralajmëroi se ishte i gatshëm t’i jepte Iranit një “goditje shkatërruese” dhe la të kuptohej se objektiva të tjerë bërthamorë iranianë mbeteshin në fokus të Uashingtonit.

Edhe zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, u shfaq optimist për ecurinë e kontakteve diplomatike. Ai tha se administrata amerikane ka bërë përparim në përpjekjet për një zgjidhje të negociuar me Teheranin dhe se bisedimet do të vazhdojnë.

Nga ana tjetër, Irani konfirmoi se po zhvillon negociata intensive indirekte me Shtetet e Bashkuara, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit në rajon dhe për të shmangur një përshkallëzim të ri ushtarak.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se konsultimet diplomatike janë në një fazë tepër intensive për shkak të ndjeshmërisë së situatës aktuale.

Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se Udhëheqësi Suprem Mojtaba Khamenei i ka deleguar qeverisë kompetenca shtesë për zhvillimin e negociatave.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Teherani njoftoi se është i gatshëm të përshpejtojë planin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës. Sipas autoriteteve iraniane, afati i propozuar për zbatimin e planit është reduktuar nga shtatë në dy ditë, si shenjë e asaj që e cilësojnë “vullnet të mirë” në negociata.

Megjithatë, Irani ka vendosur disa kushte për këtë hap, duke përfshirë armëpushimin në të gjitha frontet rajonale, heqjen e sanksioneve mbi sektorin energjetik, lirimin e aseteve të ngrira jashtë vendit dhe përfundimin e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane.

Pavarësisht sinjaleve për dialog, tensionet mbeten të larta. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë shtuar paralajmërimet për veprime të tjera ushtarake kundër Iranit, ndërsa Teherani ka deklaruar se do t’i përgjigjet çdo sulmi pa “kufizime gjeografike”.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë diskutuar së fundmi për situatën me Iranin. Netanyahu thuhet se ka kërkuar vazhdimin e presionit ushtarak pas zgjedhjeve amerikane, ndërsa Trump ka preferuar t’u japë më shumë kohë përpjekjeve diplomatike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme