Sinjalet diplomatike nga Teherani ulin çmimet e naftës, Khamenei i jep mandat qeverisë për bisedime me SHBA-në

Ekonomi | 44 minuta më parë

Çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare kanë shënuar një rënie të ndjeshme, si pasojë e shpresave se diplomacia mund të zbusë tensionet e përshkallëzuara ushtarake dhe politike midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Treguesit kryesorë të lëndëve djegëse u pasqyruan menjëherë me ulje, nafta WTI ra deri në 6.7% në 97.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto Brent arriti në nivelin më të ulët prej 105.86 dollarësh, gjithashtu 6.7% më pak.

Kjo kthesë në tregjet e energjisë u përshpejtua pas deklaratave zyrtare të Presidentit iranian Masoud Pezeshkian. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, kreu i ekzekutivit konfirmoi se qeveria po punon për të zgjidhur ngërçin përmes rrugëve diplomatike, pasi i janë deleguar kompetenca të drejtpërdrejta nga lidershipi i vendit.

“Ne po punojmë për të zgjidhur këto çështje përmes dialogut; në këtë drejtim, Udhëheqësi Suprem i ka dhënë qeverisë autoritetin e nevojshëm”, deklaroi Pezeshkian, duke iu referuar mandatit të marrë nga Udhëheqësi Suprem, Mojtaba Khamenei.

Qëndrimi i Teheranit, balanca mes negociatave dhe rezistencës

Gjatë një takimi të zhvilluar me guvernatorët e provincave në Teheran, Presidenti Pezeshkian sqaroi kornizën brenda së cilës do të zhvillohen këto përpjekje diplomatike me Uashingtonin, duke theksuar se bisedimet nuk do të nënkuptojnë tërheqje nga qëndrimet strategjike të vendit.

Kreu i shtetit iranian nënvizoi se Teherani zyrtar do të mbrojë me vendosmëri interesat kombëtare. “Kundërshtarët tanë nuk mund ta detyrojnë Iranin të dorëzohet përmes konfliktit. Ne i kundërshtojmë me vendosmëri gënjeshtrat dhe kërkesat e tyre të tepërta. Përgjatë kësaj rruge, ne duhet të përpiqemi të forcojmë rezistencën e popullit, duke adresuar shqetësimet dhe frikën e tyre”, u shpreh ai.

Zhvillimet po ndiqen me vëmendje të madhe nga komuniteti ndërkombëtar, pasi delegimi i autoritetit për bisedime direkte shihet si një hap kyç drejt uljes së tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme