Vila e Enverit shndërrohet në rezidencë artistësh, Margariti: Objekt i poseduar nga fantazmat e së shkuarës

Kulturë | 3 vite më parë

Vila e ish-diktatorit Enver Hoxha hapet për artin duke u shndërruar në një rezidencë artistësh në një bashkëpunim me fondacionin francez “Art Explora”.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti në fjalën e saj, deklaroi se shndërrimi i kësaj vile me një rezidencë artistësh, është dënimi më i keq në botën e përtejme të fantazmës që e posedonte.

“Vështirë ta ndash nëse ngjallte më shumë frikë apo kuriozitet një objekt i poseduar nga fantazmat e së shkuarës.

As restaurime të plota nuk kemi bërë. Mes dilemës nëse duhej ta linim të rrënohej bashkë me kujtesën e saj apo të ruhej si dëshmia e 50 viteve të rrëmbyera nga jetët e të gjithë shqiptarëve.

Nëse muret e kësaj shtëpie do të flisnin se çfarë kanë dëgjuar për artin që pas çlirimi e deri në rënien e diktaturës do tregonin se si poseduesi i kësaj vile e përdorte herë si mjet propagande, herë për të manipuluar turmën  e herë për të mbyllur, mbytur e mallkuar e prerë krijimtarinë e jetën e artistëve, poetëve, muzikantëve. E në fakt është një listë mjaft e gjatë e të persekutuarve dhe dënuarve për shkak të artit.

Ne jemi të paduruar të përjetojmë kohën kur kjo vilë të mos quhet më vila e Enverit, por vila e artit, një hapësirë e munguar dialogu”, tha Margariti.

Ministrja u shpreh më tej shndërrimi i vilës së Hoxhës, në një rezidencë artistësh, e kthen Shqipërinë në një destinacion jo vetëm turistik, por edhe artistik.

“Në këtë shtëpi paradoksesh ne sot i hapim rrugë edukimit të brezit të ri përmes artit. Kjo rezidencë artistësh e kthen Shqipërinë në destinacion turistik e artistik”, u shpreh Ministrja.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme