Nobeli në Letërsi. Fituesi, Jon Fose, me asnjë përkthim në gjuhën shqipe

Shkrimtari norvegjez, Jon Fose (o. Fosse) fitoi sot çmimin Nobel në Letërsi.
“Fose e fitoi çmimin për dramat dhe prozën e tij novatore, që u japin zë të pathënave,” njoftoi Akademia Suedeze.
I përshkruar nga kjo akademi “si një nga dramaturgët më të njohur dhe më të interpretuar të kohës sonë, ai është gjithashtu i vlerësuar për prozën e tij. Shkrimi i tij ekspozon humbjen e orientimit të njeriut.”
Shkrimtar, poet dhe dramaturg, Jon Fose u lind në Haugesund në vitin 1959.
Intelektual i shumanshëm, ai bëri debutimin e tij në vitin 1983 me romanin “Raudt, svart” (“E kuqe, e zezë”) dhe më pas eksperimentoi me narrativën e shkurtër, poezinë, letërsinë “jofiction” dhe atë për fëmijë.
“Duke pritur Nobelin” ishte takimi që u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Librit me të ftuar specialë ambasadorin e Suedisë dhe autorë e botues.
“Shikoj që nuk është botuar në shqip. Besoj tani fillon gara për botuesit, por sigurisht, nuk vihet në dyshim, që duhet të jetë një shkrimtar shumë i mirë,” u shpreh botuesja Arlinda Dudaj.
“Nuk është komentuar në diskursin publik botëror si një favorit i mundshëm i këtij çmimi, por është një autor tepër i rëndësishëm,” tha Alda Bardhyli, Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit.
Jon Fose është Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës të Republikës Franceze që nga viti 2007.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




