Ndër vendet më të bukura në Shqipëri që duhen vizituar

Nëse jeni duke kërkuar për një destinacion me kënaqësi urbane, por edhe me bukuri natyrore merrni parasysh një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë të cilat janë renditur më poshtë.
Ato ofrojnë një kombinim të arkitekturës dhe pamjeve mbresëlënëse në harmoni të përsosur.

Tirana
Tirana ndodhet në qendër të Shqipërisë. Qyteti i Tiranës është qyteti më i madh i Shqipërisë dhe qendra më e madhe ekonomike, administrative, politike, industriale, mediale, akademike, sociale dhe kulturore e vendit. Nëse jeta kulturore apo muzeale nuk bën për ju, Tirana eshte e mbushur me kuzhine te pasur apo shume veprimtari te tjera rinore.

Berati
Berati (quajtur ndryshe dhe si qyteti i një mbi një dritareve) është qyteti i nëntë për nga popullsia në Republikën e Shqipërisë. Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij.

Shkodra
Është një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë, me një histori banimi mijëvjeçare. I çmuar ndër kohëra të ndryshme si vend me rëndësi gjeostrategjike prej afërsisë mes malësive, liqenit, detit dhe rrugëve me rëndësi në kuadrin e Ballkanit Perëndimor.

Kruja
Kruja është një qytet qe shtrihet në pozicion qendër-veri, mes malit të Sari Salltikut dhe lumit Ishëm, vetëm 20 km në veri të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës. Emri i qytetit është i ndërlidhur me fjalën shqipe kroi, krua. Vendbanimi përmendet për herë të parë me emrin Kroai ndër dokumente bizantine të fillimit të shekullit të 7. Në latinishten mesjetare njihej si Croia, Croya dhe Croarum. Ndërsa gjatë periudhës osmane iu vu emrin Ak Hisar ose Akçahisar, nga turqishtja osmane me domethënien “kështjellë e bardhë”

Vlora
Vlora është një qytet bregdetar në jugperëndim të Shqipërisë. Qytet i lashtë dhe një nga portet kryesore te Shqipërisë. Ndodhet ne jugperëndim te vendit, buzë Adriatikut. Në lashtësi njihej me emrin Aulona. Më 1081 u pushtua nga normanët, më 1205 nga Venediku, pastaj kaloi në sundimin e Hohënshtaufëve gjermanë dhe më 1272 u përfshi në mbretërinë e Arbërisë.

Saranda
Saranda është qytet në Shqipërinë jugore i vendosur ne bregun e detit Jon. Është e vendosur në një shpat mali. Saranda është një qytet bregdetar në Shqipëri ndër më të frekuentuarit gjatë verës dhe konsiderohet si kryeqyteti i verës. Saranda është një qytet me më shumë se 2000 vjet histori, ngritur në zonën e bregdetit jugor të Shqipërisë, i pasur në vlera të rralla të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike shqiptare, por edhe evropiane.

Korça
Korça përbën një nga qendrat kulturore më të rëndësishme të Shqipërisë. Vetë muzeumet e shumta në qytet përshkruajnë aktivitetin kulturor ndër shekuj. Është e mirënjohur shkolla e parë shqipe në këtë qytet që daton në vitin 1887, shkolla e parë në Shqipëri për vajza, si dhe liceu Francez i ndërtuar në vitin 1917. Edhe pse ndër vite qyteti ka qënë pushtuar disa herë, ndikimet e huaja përbëjnë një pjesë të vogël te kulturës korçare.

Gjirokastra
E vendosur në Shqipërinë jugore, Gjirokastra qëndron në shpatet e pjerrëta të luginës së lumit Drino, në një pozicion mbisundues mbi një peizazh të pasur me histori, kufijtë e të cilit përvijohen nga maja malesh të larta. Ky është “qyteti i një mijë shkallëve” që përfshin qindra shtëpi-kullë të tipit osman me çatitë dalluese të gurta, ballkonet e drunjta dhe muret e gurta herë-herë të zbardhura me gëlqere. E mbisunduar nga ana e vet prej kalasë madhështore që ngrihet mbi një kodër të thiktë, Gjirokastra është një qytet magjik me një të shkuar të trazuar. Qyteti i sotëm i Gjirokastrës përfshin Qytetin e Vjetër, me kalanë (bërthama e parë e vendbanimit) dhe lagjet e tipit otoman, ndërtuar mbi kreshta, që vijnë duke u larguar nga kalaja deri në tabanin e luginës, ku ndodhen ndërtimet bashkëkohore dhe kompleksi universitar. Lagjet tradicionale shtrihen në formë rrezesh rreth kalasë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




