Smart City, rreth 3 miliardë lekë për teknologjinë në shërbim të sigurisë publike

Politikë | 2 orë më parë

Projekti Smart City, si një nga investimet strategjike në modernizimin e sigurisë publike, zë një vend të rëndësishëm në projektbuxhetin e vitit 2027 të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Për realizimin e tij parashikohen rreth 2 miliardë lekë financim i huaj, si dhe rreth 1 miliard lekë për mbulimin e TVSH-së, krahas fondeve të tjera për mbikëqyrjen dhe kostot lokale. Gjatë prezantimit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ministri Ervin Demo theksoi se ky investim synon të rrisë kapacitetet teknologjike të Policisë së Shtetit, duke përmirësuar monitorimin, parandalimin dhe administrimin e sigurisë publike.

“Teknologjia duhet të na ndihmojë të rrisim aftësinë parandaluese, të përmirësojmë reagimin operacional dhe të përdorim më mirë burimet njerëzore. Smart City është një investim që synon t’i japë Policisë së Shtetit mjete dhe kapacitete të reja për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më me efikasitet sfidave të sigurisë publike”, u shpreh ministri Demo.

Ai nënvizoi se zhvillimi teknologjik duhet të ecë paralelisht me garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, veçanërisht mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë.

“Modernizimi teknologjik duhet të shoqërohet gjithmonë me garanci të qarta ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale, privatësinë dhe kontrollin institucional. Teknologjia duhet të jetë instrument në shërbim të sigurisë së qytetarëve, jo qëllim në vetvete”, theksoi ministri.

Përmes projektit Smart City synohet forcimi i kapaciteteve institucionale dhe operacionale, duke e vendosur teknologjinë në funksion të parandalimit, reagimit dhe garantimit të një mjedisi më të sigurt për qytetarët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme