Artur Vera shkëlqen në Itali, zëri më i mirë lirik mes 180 të rinjve

Baritoni Artur Vera është shpallur fitues i edicionit të 77-të të konkursit për këngëtarët e rinj lirikë “Comunità Europea” mbajtur në Spoleto të Italisë. Juria, me president soprano e njohur Katia Ricciarelli vlerësoi si më të mirët mes 180 këngëtarëve, baritonin Artur Vera dhe sopranon Suada Gjergji.
I ftuar paraditen e sotme në emisionin “Në radio”, që transmetohet në Radio Tirana 1, Vera tregon se çfarë do të thotë ky vlerësim për të. “Është përfundimi i një pune të madhe. Është vlerësim por edhe një lloj përballjeje me veten, se ku je në krahasim me artistët e tjerë, me nivelin që ekziston jashtë Shqipërisë.”
Baritoni u bë pjesë e këtij konkursi pas një përzgjedhjeje në Shqipëri. “Juria e konkursit të Spoletos erdhi në Universitetin e Arteve në Tiranë ku u bënë audicione për të gjithë të rinjtë e Ballkanit. Aty u përzgjodhën tre këngëtarë.”
25-vjeçori u prezantua me pesë arie dhe një rol të plotë nga një opera. “Unë u paraqita me ariet e Bel Canto-s, të një periudhe romantike, pasi më qëndrojnë më mirë me vokalin.”
Ky çmim i hap rrugën bashkëpunimeve të baritonit shqiptar me teatrin e Spoleto-s. “Për ne fituesit, teatri atje ofron një bashkëpunim për stinën koncertore dhe kalendarin artistik të tij për vitin 2023, pra që të përfshihemi në veprat që ata do të vendosin në skenë.”
Artur Vera ka marrë pjesë në disa shfaqje në Itali. I pyetur nga gazetari Andri Xhahu se cili publik është më i kultivuar, këngëtari përgjigjet: “Si publiku yt nuk ka, por është ende në zhvillim. Duhet të jetë një dëgjues më i mirë. Duhet të lexojë përpara se të shkojë në Opera për të kuptura më shumë. Në Itali është një tjetër kulturë, është vendi ku ka lindur opera. Megjithatë dashuria e publikut tënd është e sinqertë, të ngroh shpirtin. Çdo artist i një vendi të caktuar e kërkon mbështetjen dhe dashurinë e vendit të vet.”
Por a është penduar për rrugën që ka zgjedhur?
“Fëmijëve të mi do u them të mos e ndjekin këtë rrugë. Është një rrugëtim i vështirë, je në marrëdhënie me të tjerët, je gjatë gjithë kohës në punë të vazhdueshme, në një stres të jashtëzakonshëm për të arritur nivelin. Pastaj, këngëtari lirik ndërkohë që këndon duhet të dëgjojë orkestrën, të ruajë marrëdhënien me partnerin, të mbajë mend tesktin dhe regjinë, të njohë edhe rolin e tjetrit. Pas një shfaqje del i rropatur.”
Prej dy vitesh, Artur Vera është solist në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Për mua është nder dhe përgjegjësi e madhe. Është vërtetë kënaqësi të jem pjesë e asaj skene ku kanë shkelur profesorët e mi.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




