Gjirokastër, Liceu Artistik koncert në Shtëpinë e Skëndulatëve

Kulturë | 5 vite më parë

Në përmbyllje të vitit mësimor, Liceu Artistik “Feim Ibrahimi” shfaqi një koncert vokal-instrumental, me pjesëmarrjen e nxënësve të të dyja cikleve. Këtë herë, skenë për ta u bë shtëpia monument kulture e Skëndulatëve e cila mblodhi nxënës e mësues të shkollave të tjera të Gjirokastrës. Gjatë fjalës përshëndetëse, drejtori i liceut Bujar Dudumi tha se ky aktivitet ka synim promovimin e vlerave të kësaj shkolle, por edhe promovimin e vlerave arkitekturore të qytetit të gurtë.

“Ne ftojmë të gjithë të rinjtë nga jugu i Shqipërisë të vinë sepse  atë talent që kanë në e bëjmë që t’u shërbejë atyre në jetë. Qëllimi i dytë është promovimi i vlerave arkitekturore dhe turistike të këtij qyteti të magjishëm. Fakti që ne ndodhemi në këtë shtëpi, një nga kështjellat e vogla të Gjirokastrës, nga më tipiket flet shumë. Dhe e fundit është ajo çka kemi thënë ngaherë, gjallërimi i jetës kulturore e artistike në qytetin tonë.” – shprehet Dudumi.

Drejtoresha e arsimit Albana Hasanaj e vlerësoi këtë aktivitet si një thirrje të hapur ndaj nxënësve të klasave të nënta që kanë talent në muzikë e pikturë, për t’iu bashkuar kësaj shkolle.

“Është bukur ta nisësh javën nën tinguj dhe ritme të mrekullueshme të cilat na i ofrojnë nxënësit e kësaj shkolle artistike. Është një aktivitet shumëdimensional. E them këtë sepse ndër vite ka zgjedhur që aktivitetet t’i organizojë në qëndrat monument kulture. Sot jemi në shtëpinë e Skëndulatve, një ndër kryeveprat e qytetit të Gjirokastrës që vlen të njihet jo vetëm nga vizitorë të huaj por edhe nga vet gjirokastritët. Sot, këtu, përveç nxënësve të shkollës artistike janë edhe ata të shkollave 9- vjeçare, një thirrje kjo e hapur për gjithë ata nxënës që ndiejnë dhe mendojnë se kanë talente në fusha të caktuara për t’iu bashkuar këtij liceu sepse nga kjo shkollë kanë dalë nxënës që sot janë në universitetin e arteve duke siguruar një të ardhme të ndritur. Bukur është që në këto aktivitete të përfshihen të rinjtë për të realizuar, atë që është shumë e rëndësishme për institucionet arsimore, edukimin artistik të tyre.” – tha Hasani.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme