Kthim në identitet, restaurim afreskut në kishën e Shën Triadhës në Berat

Në kishën e “Shën Triadhës” në Berat, ku janë përdorur me mjeshtëri shumë tipare të arkitekturës bizantine, po vijon restaurimi i afreskut nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.
Në këtë afresk, që ishte dëmtuar në pjesën më të madhe të tij, po ndërhyhet për kthimin e tij në identitet.
Sipas DRTK Berat specialistët restauruesit po kryejnë ditët e fundit procesin e konsolidimit të pelikulit të pikturës, në pjesën perëndimore të afreskut, në kishën e Shën Triadhës.
Kisha e Shën Triadhës në Berat është e tipit kryq i brendashkruar me kupolë. Në kishë janë përdorur me mjeshtëri shumë tipare të arkitekturës bizantine, që e bëjnë këtë monument një nga më interesantët dhe më piktoreskët në Kalanë e Beratit.
Në njërin mbishkrim të afreskut të Kishës së Shën Triadhës është shkruar emri i Andronik Paleologut, guvernator i provincës së Belgradit (Beratit) gjatë viteve 1302-1326. Në këtë shkrim shpjegohet se kisha mund të jetë ndërtuar në fillim të shekullit XIV me mbështetjen financiare të këtij guvernatori. Së bashku me ndërtimin piramidal, format dhe përmasat, i japin asaj një pamje piktorekse.
Programi ikonografik i përket ndikimit të shkollës paleologiane të shek. XIII-XIV me karakteristikë kryesore ngjyrat e theksuara dhe ndarjen e skenave në korniza të veçuara nga një shirit i kuq.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




