Shtëpia e At Gjergj Fishtës hap dyert për vizitorët

Shtëpia e At Gjergj Fishtës ka hapur dyert për të gjithë ata që dëshirojnë që ta vizitojnë. Sot ishte në një lidhje live nga Fishta, Lezhë, me emisionin “Shqipëria Live” Ornela Ndoka, pasardhëse e At Gjergj Fishtës. Për Ornelën është e rëndësishme që shtëpia të qëndrojë e hapur për vizitorët. Ajo ka kontribuar në restaurimin e shtëpisë, në mënyrë që të mos zhduket historia dhe gjurmët e një prej personaliteteve më të shquara të kombit shqiptar.
“Më vjen mirë që biznesmenët e kësaj zone, kanë vendosur që të hapin dyert e kësaj shtëpie. Ka qenë e banuar disa vite më parë dhe e kanë dhuruar për të qenë një shtëpi muze. Çdo gjë është bërë në mënyrë private, pasi edhe pjesa e rikonstruksionit është bërë nga një firmë private”, tregoi Ornela fillimisht në lidhje me mënyrën se si u hap kjo shtëpi.
Më pas stërmbesa e At Gjergj Fishtës u shpreh se ka shumë gjëra të tij, që nga botimet e ndryshme e deri te librat dhe pikturat që kanë dërguar vizitorët.

“Kam gjithashtu edhe një objekt personal të tij, vëllimin e parë të Lahutës së Malsisë”. Ai ia ka lënë stërgjyshit tim, Mark Fishtës (nipi i tij). Madje në këtë vëllim ka edhe shënime të shkruara nga dora e tij. Librin e ka nisur në vitin 1905 dhe e ka përfunduar në 1937”, tregoi Ornela.







Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





