Mandati i Xhaçkës nuk shkon në Kushtetuese, Bardhi: Shteti personal asnjë lidhje me atë ligjor

Politikë | 2 vite më parë

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me vendimin e Kuvendit për mos interpretimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka.

Në një reagim, Bardhi shprehet se, sipas tij, vendimi tregon se shteti personal nuk ka asnjë lidhje me shtetin ligjor ndërsa shton se dje u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi në Shqipëri.

“Me votë politike të Edi Ramës në Kuvend dje u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi. Puçi kushtetues i Kuvendit duke injoruar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese është i pandodhur kurrë në 34 vjet, i paprecedent dhe i denjë vetëm për regjimet diktatoriale.

Dje u varros përfundimisht edhe propaganda e Edi Ramës për komisione të posaçme për Shtetin Ligjor. Të gjithë ata që dyshuan se Edi Rama tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën, morën përgjigje finale me votimin e djeshëm, ku për herë të dytë Edi Rama refuzoi të ekzekutojë vendimet e GJK.

Shteti personal nuk ka asnjë lidhje me shtetin ligjor. Një vend kandidat për në BE dhe një vend anëtar i NATO-s ka shkelmuar para çdo shqiptari dhe ndërkombëtari parimet elementare të shtetit ligjor. Nga dje Shqipëria nul ka asnjë dallim me vendet autoritare!

GPPD dënon me forcë aktin e djeshëm të Kuvendit dhe të Edi Ramës, për t’i dhënë statusin e paprekshme nga drejtësia bashkëpunëtores së tij dhe garanton se do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor”, shkruan Bardhi.

Pas një seance maratonë, Kuvendi nuk i hapi rrugë kërkesës së opozitareve për interpretimin e  papajtueshmërisë së mandatit të Xhaçkës. 25 vota pro, 9 kundër dhe 65 abstenim mori projektvendimi “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”. Kryeparlamentarja Elisa Spiropali bëri me dije se do i drejtohet Komisionit të Venecias për mendim të specializuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme