Vazhdon saga e ‘vulës së PD-së’, Basha rekurs në Gjykatën e Lartë

Vazhdon saga e ‘vulës së PD-së’. Të martën në mesditë, Lulzim Basha, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të partisë, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Kërkesa ka si qëllim zhbërjen e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, i cili i dha vulën Sali Berishës. Përpos kësaj, kërkohet edhe zhbërja e vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ia dha të drejtën e vulës “Rithemelimit” të Berishës.
Me anë të një postimi në Facebook, Basha shprehet se grupimi që ai drejton nuk do të pranojë paligjshmërinë. Ai më tej shkruan se vlerat themelore të demokratëve nuk mund të tregtohen në pazarin e hallexhinjëve të SPAK.
“Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, depozitoi sot rekursin ndaj vendimit skandaloz të 11 qershorit. Ne nuk e pranojmë paligjshmërinë, as nuk do lejojmë që padrejtësia të triumfojë. Vlerat themelore të demokratëve nuk mund të tregtohen në pazarin e hallexhinjve të SPAK, partia e parë properëndimore e Shqipërisë nuk mund të jetë streha e problemeve personale të një individi në konflikt me perëndimin, votat e demokratëve nuk mund të përdoren për allishverishet mes qeverisë dhe teatëropozitës për t’i dhuruar pushtetin në tavolinë Ramës, duke mbyllur listat dhe duke shkatërruar Reformën Zgjedhore. Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha.
Edhe Rezart Kthupi, një prej juristëve që ka hartuar dhe nënshkruar rekursin për vulën e Partisë Demokratike, ka reaguar në një postim në Facebook. Kthupi shkruan se rekursi është një një detyrim ndaj betejës ligjore të dy viteve të fundit për të ruajtur në Partinë Demokratike frymën dhe idealet me të cilat ajo u krijua.
“Bashkë me kolegun dhe mikun Indrit Sefa në tre ditët e fundit hartuam, nënshkruam dhe depozituam rekursin kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të datës 11 qershor 2024. Profesionalisht kemi vlerësuar gjithnjë se ky vendim është i padrejtë, i pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me frymën dhe detyrat e lëna nga Gjykata e Lartë. Shkak tjetër për të vijuar këtë beteje ligjore është besimi që ne kemi në sistemin e drejtësisë dhe në aftësinë e shkallëve të ndryshme të tij për të arritur në një vendim të drejtë e të bazuar në ligj.
Politikisht e kemi thënë që ditën e parë, të gjithë dhe pa asnjë hezitim, që ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, duhet dhe do të ushtrojmë rekurs. Ky është një detyrim ndaj betejës ligjore të dy viteve të fundit, detyrim ndaj betejës politike për të ruajtur në Partinë Demokratike frymën dhe idealet me të cilat ajo u krijua dhe si një detyrim ndaj të gjithë atyre me të cilët bashkudhëtuam, që na mbështeten dhe na frymëzuan.
Thënë kjo gjej rastin të shpreh edhe një herë qëndrimin tim në raport me çështjen e rekursit dhe krijimin e një formacioni politik. Mbetet opinion i imi i pandryshuar (i shprehur që në mbledhjen e Kryesisë të datës 11 qershor) që ushtrimi i rekursit pa krijimin e një formacioni të ri politik është një vendim shterpë dhe një qëndrim demotivues, demoralizues dhe dëmtues ndaj një grupimi që kishte deri në atë çast identitet politik, strukturor dhe programor.
Beteja ndaj berishizmit, e cila ishte motoja e betejës më shumë se 3 vjeçare pas 9 shtatorit, nuk ishte dhe nuk është beteja kundër individit Sali Berisha. Përkundrazi ishte dhe është beteja kundër një filozofie e mënyre të vepruari të tërë e cila është në kundërshtim me demokracinë, luftën kundër korrupsionit, kapjen e shtetit dhe të drejtësisë, oligopolin politiko – ekonomiko – mediatik etj. Në këtë këndvështrim përdorimi i të njëjtave mjete apo i të njëjtave rrugë nuk mund të sjellë një rezultat të ndryshëm. Moskrijimi i një formacioni të ri politik, sikundër bëri edhe Sali Berisha, por kapja pas logos dhe vulës së PD, dhe jo pas idealeve dhe identitetit politik të saj është zgjedhja e me keqe e mundshme.
Që beteja të ketë qenë e sinqertë dhe të vijojë si e tillë distancimi nga berishizmi duhet të jetë me akte konkrete dhe jo vetëm me fjalë, raportet me partnerët duhet të jenë të sinqerta dhe të bazohen në interesa dhe qëllime të përbashkëta dhe nuk duhen lënë hapësira që të interpretohemi si një zgjatim apo fraksion. Të gjitha këto të çojnë vetëm në një drejtim – drejt krijimit të një formacioni të ri politik. Një formacion i ri politik është i vetmi veprim që krijon shanse që e shkuara të mos jetë edhe e ardhmja e Shqipërisë”, shkruan Kthupi.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




