Abuzimi me fondet publike në administratë, shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, krijohet Drejtoria Antikorrupsion

Politikë | 2 vite më parë

Qeveria forcon masat e kontrollit kundër korrupsionit në administratën shetërore, ministritë, institucionet në varësi të saj, entet publike, shoqëritë tregtare, si dhe gjithë njësitë qeverisëse që menaxhojnë fonde publike.

Në funksion të këtyre objektivave, Këshilli Ministrave vendosi të mërkurën për Krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit (në vijim DPAK), si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për antikorrupsionin (në vijim ministri), në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, me seli në Tiranë.

DPAK-ja do të financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi.

“Misioni i DPAK-së është të sigurojë parandalimin e goditjen e korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore/entet publike/shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.”, thuhet në vendim.

Përgjegjësitë funksionale

DPAK-ja ka përgjegjësi funksionale të organizojë punën për: a) koordinimin e përcaktimin e instrumenteve të domosdoshme për implementimin e politikave të fushës kundër korrupsionit; b) zhvillimin e projekteve e të programeve në fushën kundër korrupsionit; c) rritjen e ndërgjegjësimit për zbatimin e politikave të fushës kundër korrupsionit; ç) kryerjen e hetimit administrativ në kuadër të denoncimeve ose ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare për zbatimin e ligjshmërisë, si dhe identifikimin e punonjësve të institucioneve ku DPAK-ja shtrin aktivitetin, të cilët, me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore/nënligjore në fuqi;

DPAK-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror, si drejtori e përgjithshme.

DPAK-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj, përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretët dhe përgjigjet para Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.

“Ministri, në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit: a) përcakton drejtimet strategjike dhe objektivat e zhvillimit institucional, në përputhje me prioritetet dhe politikat shtetërore për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit; b) propozon politikat në fushën e antikorrupsionit; c) nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, si dhe organizatat vendore, rajonale e ndërkombëtare në fushën e luftës kundër korrupsionit, në përputhje me legjislacionin në fuqi; ç) u dërgon kërkesë institucioneve ku DPAK-ja shtrin aktivitetin për emërimin e koordinatorit antikorrupsion; d) raporton drejtpërdrejt para Kryeministrit për veprimtarinë e       DPAK-së dhe të koordinatorëve sa herë kërkohet nga ky i fundit.”, theksohet në vendim.

DPAK-ja për të realizuar misionin dhe për të ushtruar përgjegjësitë, sipas këtij vendimi,  mbështet ministrin për hartimin e politikave në fushën e antikorrupsionit; mbledh informacionin për veprimtaritë korruptive dhe praktikat abuzive nga burime të ndryshme dhe kryen hetimin administrativ brenda fushës së përgjegjësisë; planifikon dhe kryen hetime administrative për rastet e dyshuara si praktika abuzive ose korruptive, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi; bashkëpunon me agjencitë homologe të huaja, agjencitë e zbatimit të ligjit, struktura të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me organizatat jofitimprurëse për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në institucionet, pjesë e fushës së zbatimit të këtij vendimi, dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e antikorrupsionit; harton dhe rishikon në mënyrë periodike analizën e vlerësimit të riskut për korrupsionin; përpunon të dhëna lidhur me veprimtarinë që ushtron dhe i publikon ato në mënyrë periodike në faqen e saj zyrtare, me qëllim garantimin e transparencës dhe informimin e publikut; paraqet kallëzim penal në organin e prokurorisë në rastet e dyshimit të arsyeshëm, verifikimit të indicieve apo administrimit të provave për praktikën korruptive; monitoron veprimtarinë e koordinatorëve antikorrupsion dhe kryen vlerësimin e punës së tyre çdo 6 (gjashtë) muaj; kryen detyra të tjera të ngarkuara nga legjislacioni në fuqi dhe ministri në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.

“Në rastet e hetimeve të thelluara, për shkak të njohurive të veçanta që kërkon hetimi ose verifikimi i një çështjeje, në grupin e punës së DPAK-së mund të përfshihen edhe ekspertë të administratës shtetërore dhe/ose ekspertë të jashtëm. Në rastin kur është e nevojshme përfshirja e ekspertëve nga administrata shtetërore, drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së paraqet kërkesën pranë institucionit që mbulon fushën përkatëse për vendosjen në dispozicion të ekspertit/ekspertëve, i cili/të cilët kanë kualifikimet e cilësitë e kërkuara për kryerjen e hetimeve. Titullarët e institucioneve sipas pikës 11, të këtij kreu, duhet të vendosin në dispozicion ekspertë nga administrata shtetërore, të cilët përmbushin kriteret përkatëse. Ekspertët e administratës shtetërore e ushtrojnë veprimtarinë e tyre nën drejtimin e drejtuesit të grupit të hetimit të thelluar, sipas përcaktimeve të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së dhe brenda afatit të përcaktuar në këtë urdhër. Ekspertët e administratës shtetërore dhe ekspertët e jashtëm, të angazhuar në hetime të thelluara sipas përcaktimeve të këtij kreu, nënshkruajnë deklaratë konfidencialiteti. Në çdo rast, në përfundim të hetimit të thelluar dhe hetimit administrativ hartohet raport përfundimtar, i cili i propozohet për miratim drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së.”, detajon vendimi.

Pagesat

Përveç pagës mujore, nëpunësit e DPAK-së përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën: a) 65 000 (gjashtëdhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor i përgjithshëm”, si dhe “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” e “specialist”, në drejtorinë që mbulon hetimin, analizën dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve; b) 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon zbatimin e politikave të fushës kundër korrupsionit.

Në institucionet e administratës shtetërore, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, të përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, pagat e të cilëve miratohen nga një organ i ndryshëm nga Këshilli i Ministrave, niveli i pozicionit “Koordinator kundër korrupsionit” është i njëjtë me nivelin e punonjësit më të lartë pas titullarit të institucionit ku është emëruar.

Mosdhënia e informacionit të kërkuar, pengimi i nëpunësit të DPAK-së/koordinatorit në kryerjen e detyrave dhe çdo shkelje lidhur me dhënien e dokumentacionit apo të informacionit të kërkuar përbën shkak për të propozuar fillimin e ecurisë disiplinore ndaj nëpunësit përgjegjës dhe, në rast të përsëritur, informohet institucioni epror për marrjen e masave përkatëse.

Mosfillimi i procedurave për ndjekjen e rekomandimeve dhe masave të propozuara nga DPAK-ja përbën shkak për të propozuar fillimin e ecurisë disiplinore të titullarit përgjegjës nga institucioni epror, ku institucioni përgjegjës ka varësinë.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme