Mbledhja e grupit të PD, Bardhi: Kërkesë për interpelancë me ministren Koçiu për skandalin te Onkologjiku

Politikë | 2 vite më parë

Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë me Ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu lidhur me skandalin në Spitalin Onkologjik. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi tha se institucionet kanë qenë të informuara me kohë për korrupsionin dhe pazarin që bëhej me jetën në spitalin Onkologjik përmes raporteve të KLSH.

“Sapo ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të PD. Në qendër të diskutimeve skandali i Onkologjikut. Grupi ka miratuar kërkesën për një interpelancë me ministren Koçiu, në seancën e ardhshme, për t’iu përgjigjur papërgjegjshmërinë që ka udhëhequr ministrin në trajtimin e këtij problemi. Dje ministrja, edhe për shkak të indinjimit të thellë që gjëja ka shkaktuar në popull, shprehu neveri për atë që ka ndodhur, por institucionet kanë qenë të informuara në kohë për atë që po ndodhte. Skandali nuk është rast i veçuar, por një skemë e plotë e iniciuar nga drejtuesit politikë në Shëndetësi. Ministri ka pasur në dorë raportet e KLSH, ku nuk është marrë asnjë masë. Ka pasur denoncime nga opozita dhe gazetarë e ka pasur zero veprime nga MSH. Pasi vepron prokuroria nuk mund të veprosh me fjalinë kemi pushuar mjekët”, tha Bardhi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Bardhi tha se është kërkuar interpelancë urgjente edhe me kryeministrin Edi Rama lidhur me punësimin si këshilltar të tij të një ish agjentit të shërbimeve sekrete në Rumani, i lidhu me trafikun ndërkombëtar të drogës.

“Një kërkesë për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, gjithashtu për seancën e ardhshme plenare lidhur me skandalin emërimit prej tij të një agjenti apo ish-agjenti të shërbimeve sekrete rumune që sipas hetimeve të autoritete ndërkombëtare rezulton të jetë pika lidhëse midis klaneve apo grupeve kriminale ndërshtetërore të trafikut të lëndëve narkotike si këshilltar i jashtëm i kryeministrit të Shqipërisë. Së pari, një agjent i shërbimeve sekrete të huaja nuk mund të jetë kurrë i rekrutuar sepse kjo cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Ky agjent i shërbimeve rumune ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës. Për ça e ka këshilluar ish-agjenti Coldea Ramën? Se si bëhet trafiku i drogës?”, tha Bardhi.

Pjesë e diskutimeve në mbledhjen e grupit të PD, ishte edhe mocioni me debat edhe për raportin e OLAF lidhur me vjedhjen e fondeve të BE për bujqësinë përmes programeve IPARD.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme