Koalicion të rinjsh në zgjedhje? Nisma Thurje tregon planet për bashkimin e lëvizjeve të reja politike

Politikë | 3 vite më parë

Kryetari i Nismës Thurje ka bashkëpunuar me këshilltarë të opozitës në Këshill Bashkiak për të çuar përpara nismat e veta, por ky bashkëpunim nuk do të përkthehet në aleancë me ndonjë nga partitë tradicionale të opozitës. Madje Endrit Shabani refuzon të marrë pjesë edhe në protestat para bashkisë, ku PD e Rithemelimit kërkon dorëheqjen e Erion Veliajt për çështjen e përfshirjes së ish drejtorëve në disa afera të dyshuara për korrupsion nga SPAK-u. “As nuk kam qenë në protestë, as nuk do të më shikoni. Nuk është ai modeli që ne kemi. Nuk besoj që Shqipërisë i ka ardhur ndonjë gjë e mirë nga dhuna. Protestat e Sali Berishës dhe Ilir Metës janë gjithmonë të dhunshme. Unë aspiroj të përfaqësoj ata njerëz që nuk besojnë te dhuna, nuk e shohin dhunën si zgjidhje dhe kërkojnë konsolidimin e instotucioneve.”- u shpreh Endrit Shabani për emisionin “Pa Censurë”, duke përjashtuar prerë çdo bashkëpunim zgjedhor me partitë kryesore të opozitës. 

Plani i tij, që akoma nuk është i finalizuar, ka të bëjë me ngritjen  e aleancave të reja, përtej forcave kryesore opozitare. “Vendimi nuk është marrë ende. Preferenc jonë është të bashkëpunojmë me forcat e reja, që përfaqësojnë nevojën për ndryshim të Shqipërisë dhe nuk kanë mbi supe vjedhjen, abuzimin, shkatërrimin që i është bërë Shqipërisë ne 30 vjet. Lëvizja Bashkë, Shqipëria bëhet, aktivistë që nuk janë të organizuar në parti politike, nëse bëheni bashkë, konsolidojmë ofertën tonë politike, duke i dhënë vendit shpresë”- tha zoti Shabani, pritshmëritë e të cilit për zgjedhjet 2025 janë të larta. “Sistemi zgjedhor do të na kondicionojë shumë, por e sigurtë është që ne do të jemi në parlament në zgjedhjet e ardhshme”- theksoi Kreu i Nismës Thurje për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH. 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme