Kërkesa e PD-së për mocion me debat për ‘Xibrakën’, mblidhet më 15 prill Konferenca e Kryetarëve

Politikë | 3 vite më parë

Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet ditën e hënë për të shqyrtuar kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për mocion me debat për çështjen ‘Xibraka’.

Sipas njoftimit të Konferencës së Kryetarëve në rendin e ditës do të jetë shqyrtimi i kërkesës për debatin mbi problematikën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vendin tonë.

Në kërkesën e tij kreu i grupit parlamentar demokrat shpjegohet se nga viti 2014 e në vijim, Shqipëria u bë vendi i parë në Evropë sa i përket kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas kërkesës së Bardhit, theksohet se agjencitë ligjzbatuese evropiane dhe raportet ndërkombëtare evidentuan faktin se grupet kriminale të angazhuar në prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, kishin bashkëpunëtorë të ngushtë në nivelet më të larta të Policisë së Shtetit dhe Qeverisë, të cilët përbënin garancinë e tyre për vijimin normalisht të aktivitetit kriminal.

“Policia dhe Prokuroria nuk arritën gjithashtu të zbardhnin të plotë identitetin e të gjithë bashkëpunëtorëve, të lidhur me grupin kriminal, për të cilët Prokuroria do të regjistronte procedimin penal nr. 335/1 i vitit 2016. Por, dy vite më pas ky procedim penal do të pezullohej pasi Prokuroria do të shpallte pamundësinë për identifikimin e këtyre individëve.

Dokumentet zyrtare nga dosja gjyqësore dhe sistemi TIMS ngrenë dyshime serioze se një prej këtyre bashkëpunëtorëve të paidentifikuar mund të jetë Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama. Këto dyshime bazohen në faktin se një prej bashkëpunëtorëve të paidentifikuar është një shtetas 45 vjeç, me flokë të shkurtër, përdorues i automjetit AA 653 DM.

Olsi Rama asokohe ishte 45 vjeç, me flokë të shkurtra dhe përdorues i automjetit AA 653 DM, i përdorur edhe nga pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal Genci Xhixha, Gentian Gjonaj dhe Ermal Hoxha. Sipas të dhënave të sistemit TIMS nga 18 hyrje-dalje të makinës, 7 prej tyre i përkasin Olsi Ramës.

Sipas gjykatës, policia dhe prokuroria kanë kryer hetime të mangëta dhe nuk kanë identifikuar bashkëpunëtorët e grupit. Përdorimin e këtij automjeti dhe njohjen me eksponentët e grupit kriminal do ta pohonte edhe vetë Olsi Rama ditën e publikimit të denoncimit, 28 Mars 2024”, thuhet në kërkesën e grupit parlamentar të PD.

Bardhi shton në kërkesën e tij se është detyra e tyre si deputetë të Kuvendit që të shqyrtojnë me përparësi këtë problematikë dhe të kërkojmë nga qeveria marrjen e masave të menjëhershme.

“Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë mocion për zhvillimin e debatit parlamentar mbi problematikën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vendin tonë”, përfundon shkresa e Bardhit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme