Majko sherr me Bardhin: Kuvendin e bëtë si cirk, e quani SPAK-un organizatë kriminale

Deputeti socialist Pandeli Majko është përplasur me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi mbi ligjin për Amnistinë.
Majko theksoi në fjalën e tij, se opozita deri dje e bëri Kuvendin si cirk dhe se e quan vazhdimisht SPAK-un organizatë kriminale.
“Keni kaq muaj që e keni bërë këtë sallë cirk. Tani thoni pse kjo sallë ju duket jo kaq serioze. Kam një pyetje për z. Bardhi thatë që nuk do të lejoni që të bëhet amnisti për individët që janë dënuar nga SPAK-u. Drejtuesi juaj e quan SPAK-un organizatë kriminale, kjo organizatë kriminale a jep drejtësi të pavarur në Shqipëri, po ose jo”, u shpreh Majko.
Nga ana e tij, Bardhi lëshoi akuza ndaj kryeministrit Rama teksa iu drejtua Majkos se është qeveria ajo që sulmon SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme.
“Sa i takon SPAK-ut shko pyet Edi Ramën një herë, se për llogari të kujt e goditi SPAK-un në portin e Limonit, në Sarandë. Cilët janë oligarkët që përfitojnë nga ai port dhe Edi Rama doli të sulmonte një vendim konkret të Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme. Nëse doni të bëni politikë me drejtësinë dimë të bëjmë ne, se gjysmën që ke atje, i ke një ditë po një ditë jo në SPAK. Për ju drejtësia është e re sa herë goditen kundërshtarët politikë dhe e vjetër sa herët iu preken bashkëpunëtorët tuaj. Ne e mbështesim drejtësinë kur veprohet sipas ligjit, por ne nuk jemi hipokritë që të mbyllim sytë sa herë amnistohet Ilir Beqaj, që amnistohet Veliaj. Nuk mund të vjedhin 5 drejtorë pa dijeninë e kryetarit”, tha Bardhi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




