Dhëndri i Trump investim në Sazan, Rama: Nuk shesim ishullin, e kthejmë në kurorën e turizmit në Mesdhe

Ambicien e dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner për të ndërtuar hoteleri me 5 yje në Sazan dhe Zvërnec, për kryeministrin Edi Rama janë investime që e kthejnë vendin në një xhevahir të kurorës së turizmit në Mesdhe.
Kryeministri Rama tha se këto investime dhe ambicie të shfaqur nga kompanitë prestigjioze të turizmit në botë, nuk janë as pazare dhe as shitje të pronës së shqiptarëve.
Duke sqaruar se në Sazan nuk ka pasur kurrë zona të mbrojtura, Rama shtoi se kompania e dhëndrit të ish-presidentit amerikan Trump ka ndërtuar një duzinë strukturash në zonat përrallore të UNESCO-s në Azi.
“Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndrri i ish-Presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri! Po ata, që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm, e për investimet e huaja direkte, sot po flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe! Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur s’ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës, që prisnin me dylbi zbarkimin e Flotës së Shtatë Amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë me rregull treshi, se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura.
Por e vërteta që ka rëndësi në këtë mes, nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme, për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, Aman Hotels&Resorts, e cila ka ndërtuar një duzinë strukturash në zona përrallore të UNESCO-s në Azi e në Lindjen e Mesme. E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është se Shqipëria, kampione e turizmit në rajon në 2030, nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërmeje të ndritur, po një projekt gjeopolitik dhe ekonomik, që po formësohet me plane e masa konkrete, të cilat krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik. Sa për mbrojtjen e natyrës shqiptare, janë vetë njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë, që e dinë më mirë se kushdo, se kush e mori në mbrojtje dhe kush e shkatërroi natyrën e vendit tonë, kush i ruan e i nxjerr në pah dita-ditës bukuritë e këtij vendi dhe kush e shëmtoi dhe mbuloi me plehra kudo që mundi trupin magjepsës të Shqipërisë.
Ne as e kemi fshehur as e kemi lënë vetëm tek fjalët, qëllimin tonë strategjik për të ndërtuar në Shqipëri sektorin e ekselencës me pesë yje të industrisë së re të turizmit. Sot, vetëm brandi spanjoll me pesë yje, Melia Group, ka firmosur 18 kontrata me sipërmarrës të ndryshëm shqiptarë, për projekte në sektorin e turizmit. Dhe presidenti i grupit të cilin pata rastin ta takoj kur erdhi në Shqipëri para pak ditësh më tha se janë të gatshëm të shkojnë deri në 30 kontrata sepse sipas tij Shqipëria është ylli i ri në ngjitje i turizmit në Mesdhe”, tha Rama.
Një ditë më parë kompania “Affinity Partners” e dhëndrit të ish presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner tha se do të investojë në ndërtimin në ishullin e Sazanit të një resorti luksoz, por edhe një investim kolosal në gadishullin e Zvërnecit.
Në një intervistë për Bloomberg, Kushner shprehu admirimin e tij për ishullin e Sazanit, duke e përshkruar bregun e tij si më unikun, por edhe më të pacenuarin në botë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




