Dënimi i Belerit, PDIU: SPAK-u të hetojë masakrën e Peshkëpisë, Greqia të mos sulmojë drejtësinë

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka akuzuar Greqinë për ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi Sovran, në lidhje me dënimin me 2 vite burg të Fredi Belerit për blerje votash në Himarë, 2 ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit 2024.
PDIU, në një deklaratë për mediat, thekson se ndërhyrja në punët e brendshme të një vendi sovran, nuk është aspak e denjë për një shtet anëtar të BE-së dhe se vendimi i Gjykatës së Posaçme nuk mund të diskutohet dhe as të sulmohet.
“Qysh prej ditës së djeshme, kur gjykata dha vendimin për shtetasin Fredi Beleri, kanë filluar reagimet në media nga shteti fqinj për këtë vendim, i cili duhet t’i rikujtojmë të gjithë opinionit vendas dhe atij të huaj, se është një vendim i cili nuk mundet as të diskutohet e as të anatemohet.”, deklaron PDIU.
Sipas këtij subjekti politik, vendimet e drejtësisë janë të padiskutueshme dhe presioni mbi këto organe dhe aq më shumë ndërhyrja në punët e brendshme të një vendi sovran, nuk janë aspak të denja për një vend fqinj e anëtar i BE-së.
Nga ana tjetër, PDIU i kërkon SPAK-ut që të nisë hetimet për zbardhjen e masakrës së Peshkëpisë dhe thirrjet anti-shqiptare shoqëruar me flamurin me Vorio-Epirit, gjeste këto që, sipas saj, “prekin sovranitetin territorial të vendit.”
“Ftojmë institucionet përgjegjëse dhe prokurorinë e posaçme SPAK, që të fillojë hetimet për të zbardhur masakrën e Peshkëpisë, si dhe për thirrjet antishqiptare dhe daljen me flamurin irredentist të Republikës së Vorio – Epirit, i cili prek sovranitetin territorial të vendit e si i tillë është një veprim që bie ndesh me Kushtetutën. Së fundi, kur do e heqë Greqia ligjin e luftës me Shqipërinë, një vend anëtar i NATO-s?Ky është hapi i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, përfundon reagimi i PDIU-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




