I pranishëm në Tiranë për Samitin, Zelenski: Diskutime për rrugën e përbashkët drejt qëllimit euroatlantik

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky), i cili ndodhet në Tiranë ku do të marrë pjesë në Samitin për Ukrainën, ka reaguar me një mesazh në X (Twitter).

Zelenski vlerëson kryeministrin Edi Rama si “mikun e palëkundur të Ukrainës”, teksa thotë se në takimin dypalësh që ata pritet të kenë, do ët diskutohet lidhur me bashkëpunimin në mbrojtje dhe politikë. Po ashtu, Zelensky vlerëson qëndrimin e Shqipërisë lidhur me agresionin rus në Ukrianë.

“Sot jam në Tiranë. Do të takoj mikun e palëkundur të Ukrainës, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe do të marr pjesë në samitin Ukrainë-Evropa Juglindore. Në bisedimet tona dypalëshe me Kryeministrin dhe ekipin e tij, do të diskutojmë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politikë, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që ka nënshkruar Deklaratën e Vilniusit të G7, të cilën ne e vlerësojmë shumë”, shkruan Zelenski.

Po ashtu, Presidenti i Ukrainës thekson se në Samit do të diskutohet edhe lidhur me rrugëtimin euroatlantik të vendeve.

“Ne do të diskutojmë rrugën tonë të përbashkët drejt qëllimit euroatlantik në samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, i cili tashmë po mbahet për herë të dytë. Unë do të propozoj mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për të arritur paqen e drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër. Do të zhvilloj edhe bisedime dypalëshe me pjesëmarrësit e samitit”, përfundon mesazhin e tij Zelenski.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme