Bonusi i ri i bebeve nga 1 korriku 2027, skema e përfitimit për familjet për çdo fëmijë deri në 5 vjeç

Sociale | 1 minutë më parë

Nga 1 korriku 2027, familjet me të ardhura të ulëta pritet të përfitojnë një mbështetje financiare mujore për fëmijët deri në moshën 5-vjeçare. Për skemën e re të bonusit të bebeve ka folur kontabilistja Fidi Qela, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, ku ka dhënë detaje mbi masën e përfitimit dhe kriteret e parashikuara.

Sipas Qelës, familjet me të ardhura mujore deri në 180 mijë lekë pritet të përfitojnë një pagesë mujore për çdo fëmijë, për pesë vitet e para të jetës. Pagesa do të jetë progresive në varësi të numrit të fëmijëve: 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për të dytin dhe 10 mijë lekë për të tretin.

“Anëtarët familjarë të cilët kanë të ardhura që deri tani flitet që duhet të jetë deri në 180 mijë lekë mujore do të përfitojnë për çdo fëmijë të lindur një pagesë ose suport mujor, ndryshe nga bonusi që merret tashmë në momentin e lindjes së fëmijës. Për fëmijën e parë çdo muaj, që nga momenti i lindjes, do të marrë një pagesë mujore prej 5 mijë lekësh. Për fëmijën e dytë do të ketë një pagesë mujore 7 mijë lekë që i shtohet pagesës që merr edhe për fëmijën e parë. Për të tretin pastaj ishte një pagesë 10 mijë lekë mujore”, tha ajo.

Qela theksoi se bonusi i ri nuk do të zëvendësojë bonusin aktual të lindjes, i cili do të vijojë të jepet si pagesë e njëhershme pas lindjes së fëmijës. Duke folur për pragun e të ardhurave, kontabilistja u shpreh se kufiri prej 180 mijë lekësh në muaj është ende një nivel orientues i diskutuar, ndërsa kriteret përfundimtare do të përcaktohen në aktet zbatuese.

“Është një lajm i bukur, sigurisht, sidomos kur mëson se nuk është më thjesht një shpërblim momenti i lindjes, por do të jetë një formë pagese tani për bebet deri në moshën pesëvjeçare. Është projektligj dhe sapo është prezantuar. Ende aktet zbatuese nuk janë gati ose nuk janë të publikuara se si do të zbatohet, pasi është diçka që do të fillojë të zbatohet nga 1 korriku 2027”, u shpreh ajo.

Sa i përket mënyrës së përfitimit, Qela vlerësoi se pagesa mujore mund të realizohet përmes transfertës bankare në llogarinë e njërit prej prindërve, ndërsa aplikimi mund të kryhet përmes platformës e-Albania. Megjithatë, ajo nënvizoi se këto janë ende pritshmëri dhe jo procedura të konfirmuara zyrtarisht.

“Duke qenë një pagesë mujore që do të bëhet për familjet shqiptare, mendoj që do të bëhet me një transferim llogarie bankare të prindit. Mendoj që do të jetë një proces aplikimi në momentin e lindjes së fëmijës, ndoshta edhe nga e-Albania. Bonusi fillon shpërndarjen nga 1 korriku, por nëse do të aplikohet edhe për fëmijët që janë aktualisht nën pesë vjeç apo vetëm për fëmijët që lindin pas 1 korrikut, është një çështje që mbetet për t’u sqaruar”, tha ajo.

Në projektbuxhet janë parashikuar rreth 90 mijë familje përfituese nga skema e re.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme